Donald Trump reagoi pas përpjekjes për atentat kundër tij me akuza. Ai fajësoi rivalen demokrate, Kamala Harris dhe presidentin amerikan Joe Biden, duke i quajtur ata si “kërcënimin e vërtetë”.
Atentati i dyshuar i së dielës (15.09.)kundër kandidatit republikan për president në SHBA, Donald Trump ka sjellë sërish në fokus shqetësimet për dhunën e motivuar politikisht në SHBA. Presidenti Joe Biden paralajmëroi se mund të ketë përshkallëzim të mëtejshëm dhe bëri thirrje që shërbimi sekret, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e politikanëve të rangut të lartë, të forcohet. Në një dalje në Filadelfia, Pensilvani, presidenti Biden bëri thirrje për parandalimin e dhunës. “Ne nuk mund t’i japim frymëmarrje kësaj,” tha ai duke theksuar, se konfliktet duhet të zgjidhen në kutinë e votimit. Biden bëri thirrje gjithashtu për pajisje më të mirë të shërbimit sekret. Fondet për këtë i miraton kongresi amerikan.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur, se Biden dhe Trump folën në telefon pas incidentit. Në “bisedën e përzemërt”, Biden shprehu lehtësimin e tij që Trump ishte i sigurt, thuhet nga Shtëpia e Bardhë. Trump e falënderoi Biden për thirrjen telefonike.
Trump i quan bashkëfajtorë demokratët dhe Harris
Por më parë republikani Trump kishte fajësuar për incidentin si Biden ashtu edhe zëvendëspresidenten Harris, kundër të cilës do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit. “Retorika e tyre të çon aty që kundër meje të qëllohet. Ata janë kërcënimi i vërtetë,” tha Trump. Më vonë ai shtoi në platformën e tij “Truth Social”: “Për shkak të kësaj retorike majtiste komuniste fluturojnë plumbat dhe gjithçka do të përkeqësohet!”
I dyshuari akuzohet – motivi i paqartë
Tashmë është ngritur padi kundër të dyshuarit kryesor, Ryan W. R. në Florida. Ende ka paqartësi për motivin. Hetimet janë duke vazhduar intensivisht. Ryan W. R. akuzohet për posedim të një arme zjarri si kriminel i dënuar dhe posedim të një arme me numrin serial të hequr. Mund të pasojnë edhe akuza të tjera.
Sipas raportimeve të mediave, 58-vjeçari punonte si kontraktues ndërtimi në Hauai. Ai shpesh bënte komente politike në rrjetet sociale, përfshirë luftën në Ukrainë. Sipas FBI-së, Policisë Federale të SHBA-së, “prania aktive në internet” e të dyshuarit është aktualisht në fokus të hetimit, siç janë edhe veprat penale të mëparshme dhe dyshimet e mundshme të mëtejshme. Rezultatet e para tregojnë se Routh ndoshta ka vepruar i vetëm. Pas arrestimit, Ryan R. kërkoi një avokat dhe ka qëndruar i heshtur që atëherë, sipas drejtorit të policisë të Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw.
Shërbimi Sekret e zbuloi të dyshuarin e armatosur në shkurret në gardhin e fushës së golfit të Trump në West Palm Beach, Florida, të dielën pasdite dhe menjëherë hapi zjarr ndaj tij. Sipas sherifit, ende është e paqartë se ku kanë goditur plumbat e forcave të sigurisë dhe nga vjen arma e të dyshuarit.