Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka qënë në Japoni gjatë fundjavës, ku përveç të tjerash nuk mungoi një lojë golfi me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe.
Një raund golfi nën diell, hamburger për drekë, vende në tribunë në një turne sumoje dhe një darkë “Barbeque”. Kjo ka qenë axhenda e Trump dhe Abe gjatë takimit të tyre.
Presidenti ka përdorur aftësitë e veta diplomatike gjatë vizitës së tij në Japoni, ku priteshin bisedime të ashpra tregtare.
Donald Trump është i pakënaqur me sufiçitin e madh tregtar të Japonisë me Shtetet e Bashkuara. Ai ka konsideruar vendosjen e tarifave të larta ndaj eksporteve japoneze të makinave, nëse nuk arrihet një marrëveshje dypalëshe tregtare.
Trump, presidenti i parë amerikan që sheh sumo në vendin e origjinës së sportit, u prit me duartrokitje nga audienca.
“Në nder të arritjes si kampion i madh i sumo, unë të dhuroj kupën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Megjithatë, pavarësisht miqësisë, tregtia nuk u injorua.
“Është bërë progres i madh në negociatat tregtare me Japoninë. Bujqësia ka qenë në qendër të bisedimeve”, shkroi Trump në Twitter.