Autorja e 6 pjesëve poetike që botohen më poshtë Blerta Derhemi( Bitri) është diplomate karriere. Ajo ka 17 vjet që shërben si diplomate karriere, nga të cilat 11 vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, 5 vjet në Misionin pranë Bashkimit Europian në Bruksel dhe prej një viti është Ministre Këshilltare në Ambasadën tonë në Pragë. E diplomuar nga Universiteti i Tiranës për shkencat politiko- sociale, dy vjet më parë fitoi titullin “Doktore Shkencash“ në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Blerta ka lindur në Fier, me prindërit arsimtarë të respektuar; ajo është bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar e një vajze dhe e një djali. Por, duket se ajo ka lindur bashkë me poezinë, të cilën nuk nuk e ka ndarë asnjëherë nga jeta dhe vetja, në çdo situatë, sado e ngarkuar dhe e vështirë të ketë qenë. Përvoja e pasur e jetës në të gjitha dimensionet e lartpërmendura ka ndikuar dhe le gjurmët e veta dhe në poezitë e saj; ato shquhen për aromën origjinale, katalogun e larmishëm, vërtetësinë, freskinë, thjeshtësinë, frymën, emocionet dhe mbresat e bukura që na dhurojnë.
Shënojmë se ky është cikli i dytë i poezive që autorja ia ka besuar ARGUMENTUM për të cilën e falenderojmë. Me këtë rast, i shprehim Blertës urimet me të mira për mbarësi në jetën familjare, suksese të mëtejshme në karrierën diplomatike dhe begati në krijimtarinë e saj poetike.
***
Jam Grua
Jam dashuria stolisur mbi kuaj të bardhë,
sythat e shpresës përkund
në djepin e ëndrrës ,
Jam luftëtare e heshtur,
dhimbjes i jap zë,
me foshnjën e njomë mëkuar në gji,
Botës i jap dritë me syrin e pagjumë,
Jam frymëmarrje e dehur netëve pa hënë,
zinxhirët e heshtjes kërkëllijnë
me dhimbjen e shekujt mbi shpinë,
Jam frymëmarrje e ngashëryer,
penelat vjeshtakë mi përskuqin mendimet,
Jam frymë e gjallë, zvarritur ndër dimra,
me zjarrin e jetës mbrujtur në gjak,
Jam fundi dhe fillimi,
Jam ikja dhe ardhja,
Jam rebelimi dhe durimi,
Jam mallkimi dhe bekimi,
Jam lufta dhe paqja,
Jam vdekja dhe jeta,
E, ç’gjëkënd tjetër të dua të jem!
Jam asgjëja dhe gjithçkaja!
Jam grua…
5.9.2018
***
E huaj
Dhe i huaj,
Ku të të mih pak?
Ku t’a mbjell zemrën,
thërmuar në farëza të mpita?
Zemër-mbjellë udhëve të botës,
shpojnë si eshta,
filiza të mbrapshtë mendimi!
A bulëzojnë sythe zemrat fjetur,
dimrave të një toke të huaj?
8.05.2023
***
Mesazh
Një mjelmë e arratisur klith,
një mesazh mbërrin,
nga ana tjetër e globit!
Është maj,
maji i luleve,
Duart tona nuk mbledhin më trëndafilë,
shkruajnë mesazhe malli,
dashurie,
vetmie.
Shtëpitë e fëmijërisë,
si shtëpi kukullash heshtin,
braktisur nga ne fëmijët e rritur.
Ka vite, ikën dhe gjyshet që u çelnin dritaret.
Ne ëndërrimtaret e mëdha,
luajmë kukafshehtas skajeve të botës.
Në kërkim të ëndrrave,
përplasemi me të vërtetat e jetës.
Mesazhet tona frymojnë,
Fjalët pikojnë, aromë lule kumbullash,
Janë pranverërat,
pritur e përcjellë bashkë,
Vltava hesht,
një tufë mjelmash lëbyrin sytë,
dritës së mëngjesit.
Ngrah duart, shkruaj mesazhin e radhës,
ti pret të më ndjesh në anën tjetër të botës,
Mikja ime e fëmijërisë.
24.05.2023
***
Nëna është Kryqi
Nëna është kryqi,
Mbi kraharorin e saj shuhen dhimbjet,
rilinden shpresat,
Thinjat kurorë,
thurin mundimet e viteve,
sytë qeshin Sizif i palodhur,
Nëna, udhënisja, e vërteta, jeta.
Është kaltërsi nëna,
kryq përqafimi qiell-det
Nëna horizont,
kryqi ku shuhet mbrëmjeve dielli,
ku rilind i purpurt mengjeseve.
Nëna, kryqi i ditë-netëve,
kryqi i stinëve të moshës,
kryqi i ëndrrës e zhgjëndrrës
Peshë e ëmbël,
emërues i përbashkët,
kryqi nënë.
21.08.2023
***
Gjuha e lutjeve
Kumbon në tempullin bosh të kraharorit, këmbana!
Unë, mendje, trup, shpirt e zemër,
falem, lutem katedraleve të botës.
Zot, a mi kupton lutjet?
Drithërojnë vështrimin ikonat,
Lutjet e mia njohin vetëm një gjuhë,
gjuhën e shenjtë, të tokës sime!
22.08.2023
***
Kungimi
Ajo, kungon mendimin,
kreshmuar nga kujtimet.
Rrufit verë,
Shtrydh, parfum fletë borziloku,
Si temjani djajtë, largon mendimet shterpë,
Degë kumbullash të thata,
zgjojnë ëndrra rinie,
Përtypen kujtimet murgj,
Të mpirë në manastirin zemër,
nuk mbarsën kurrë dëshirime.
Ajo,
fle me shandanin e shpresës ndezur,
Si feniks pret të rilindë në një vorbull vere.
Sa pasione zgjohen, tundohen,
flenë,
shuhen me etjen e trendafiltë!
Ajo magjinë e çastit,
kungon në një pikëz vere,
vesuar mbi petale borziloku.
27.08.2023
/Argumentum.al