Nga paketa e dytë financiare e cila ka nisur të shpërndahet që prej 21 prillit numri më i ulët i përfituesve është për punonjësit në sektorin e turizmit. Nga të dhënat e përditësuara nga Tatimet deri më 5 maj, kërkesa për ndihmë 40 mijë lekë u aprovua për 1,930 individë. Qeveria parashikon që për këtë sektor të përfitojnë 10 mijë të punësuar për 1,214 biznese. Por deri tani vetëm 19% e atyre që parashikohet të përfitojnë u është miratuar kërkesa për pagën.
Përfaqësues të Unionit Turistik Shqiptar shprehe se dy janë arsyet për numrin e ulët deri tani të përfituesve në këtë sektor.
Shumë kërkesa janë refuzuar për shkak të kriterit të vendosur për largimet nga puna deri më 12 prill, nëse largimi është pas këtij afati ndihma refuzohet. Arsyeja e dytë është se 60 mijë të punësuar sezonale që punësohen në periudhën maj-shtator kanë mbetur jashtë paketës.
Me paketën e dytë nuk përfitojnë të gjithë të punësuarit e sektorit, por vetëm të larguarit para datës 12 prill të hoteleve, agjencive turistike, tur operatorëve që janë biznese të mëdha.
Paraprakisht në total në të gjithë sektorin e turizmit, numri i të larguarve nga listëpagesat e sigurimeve shoqërore është rreth 20 mijë persona.
Në total numri i të punësuarve në sektorin e turizmit me të punësuar sezonale dhe të përhershëm është 100 mijë, ku 60 mijë janë sezonalë. Këta punonjës punojnë për periudhën maj dhe shtator në turizëm dhe kanë mbetur jashtë paketës të ndihmës.”
Sipas të dhënave të DPT numri i punonjësve të turizmit që ka aplikuar është 4,451 apo rreth 5% e totalit të aplikimeve në tatime që janë 100,022 individë. Nga këto 1,930 kërkesa janë miratuar dhe 2,308 janë të refuzuara.