Mbikëqyrja e transmetimeve të Turqisë u ka dhënë tre agjencive ndërkombëtare të lajmeve 72 orë për të marrë një licencë operimi ose përndryshe të kenë akses në platformat e tyre të bllokuara, tha një anëtar i agjencisë të mërkurën.
Ilhan Tasci, i cili është gjithashtu një ligjvënës i opozitës, kritikoi masën e Këshillit të Lartë të Radios dhe Televizionit (RTUK) për të kërkuar licenca nga faqet e internetit në gjuhën turke të transmetuesit gjerman Deutsche Welle, Zëri i Amerikës dhe Euronews. Sipas Tasci, ky vendim shënon një sulm të mëtejmë ndaj lirisë së medias në Turqi.
“Vendimi u mor me shumicë të votave, që të jepet 72 orë afat për marrjen e licencës për ueb-faqet amerikaninsesi.com, dw.com/tr, dhe tr.euronews.com”, tha Tasci, që është një prej nëntë anëtarëve të bordit të RTUK-së.
Bordi i Këshillit Suprem për Radio dhe Televizion, që dominohet nga partia në pushtet Partia AK, nuk ka komentuar lidhur me kërkesën për licencë operimi.
Në vitet e fundit, Turqia ka rritur mbikëqyrjen e mediave, duke i dhënë më shumë fuqi këtij këshilli për mbikëqyrjen e të gjithë përmbajtjes online. Ky këshill po ashtu ka fuqi që të largojë përmbajtjen e mediave. Rreth 90 për qind e transmetuesve mediatik në Turqi tani ose janë në pronësi të shtetit, ose janë të afërta me Qeverinë.
Tasci tha se qëllimi kryesor i RTUK-së është liria e medias.
Shtetet perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar Qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan, se po përdor puçin e dështuar të vitit 2016 si pretekst për të shuar zërat kritikë. Por, Qeveria e Turqisë e mohon këtë akuzë, duke thënë se masat janë të nevojshme për shkak të kërcënimeve të sigurisë me të cilat përballet Turqia./Voa