Shqipëria ka dhuruar 1 milion euro si mbështetje financiare për rindërtimin në Turqi pasi u godit nga tërmeti shkatërrues 7.9 ballë më 6 shkurt, që shkaktoi mbi 35 mijë viktima.
Këtë e bëri me dije kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh i nderuar që u bë pjesë e fushatës sensibilizuese televizive “Turqia, një zemër”.
Në një lidhje telefonike teksa fushata sensibilizuese transmetohej në të njëjtën kohë në 13 kanale televizive në Turqi, Rama shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe deklaroi mbështetjen për popullin turk. Po ashtu kujtoi se si presidenti turk Erdogan iu gjend pranë popullit shqiptar në vitin 2019 kur vendi ynë u godit nga tërmeti që shkaktoi 52 viktima.
“Jam shumë i nderuar të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë. Ne nuk do ta harrojmë çfarë bëri Presidenti Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milion euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë-shumë më të mëdha”, tha Rama.
Gjatë fushatës “Turqia një zemër”, vetëm brenda 2 orë e gjysmë u bënë 9 milionë telefonata dhe u grumbulluan të paktën 6.1 miliardë dollarë.