Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, qëndroi disa orë të martën ( 17.09) në Tiranë. Ai deklaroi se “ Shqipëria dhe Maqedonia meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.
Donald Tusk, Kreu i Këshillit Europian, i cili në samitin e tij më 18 tetor, do të vendosë hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u cilësua të martën (17.09) në Tiranë nga kryeministri Rama “avokat i zgjerimit të BE me rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Mesazhet publike që dha Tusk e meritojnë një cilësim të tillë. Apeli që i ai drejtoi nga Tirana Këshillit Europian në dy argumenta të rëndësishme: njëri pragmatik, tjetri parimor.
Nuk ka siguri për Europën pa integrimin e Ballkanit Perëndimor
Këtë argument të njohur pragmatik të BE lidhur me politikën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor ( BP) e risolli në vëmendje në Tiranë , Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama , ai theksoi se ” Interigimi i Shqipërisë në BE është në interes të gjithë Europës. Nuk ka siguri për Europën pa integrimin e BP. Mendoj që BE duhet të hapë negociatat si me Shqipërinë , ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, në përputhje me rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian”
Argunenti i dytë është respektimi nga BE i parimit të meritave në progresin e vendeve kandidate për anëtarësim si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
” Shqipëria, falë përpjekjeve të saj i është afruar BE. Ka ardhur momenti të hapë negociatat e anëtarësimit. Për këtë askush si në Shqipëri, ashtu edhe në BE, nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël. Shqipëria duhet të trajtohet me respekt, sipas meritave, si janë trajtuar vendet e tjera por edhe ato të BP. Kur flitet për sigurinë tonë të përbashkët askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, tha Tusk në Tiranë.
BE- Vende mbështetëse dhe skeptike ndaj Shqipërisë
Vizita disa orëshe e Donald Tusk në Shqipëri ndodh në valën e lobimit që qeveria po bën në vendet anëtarë të BE pë të votuar pro hapjes së negociatave në samitin e Këshillit Europian, më 18 tetor.
Takimi i kryeministrtit Rama me kancelaren Merkel në Berlin, javën e kaluar, rriti shpresat për një „ “Po me kushte” të Bundestagut në fund të këtij muaji, falë mbështetjes, që Merkel po i jep integrimit të BP nisur nga rëndësia strategjike që rajoni ka për BE.
Tusk në deklaratat e tij në Tiranë vijoi përqasjen e kancelares Merkel. Për më tepër ai u shpreh, se BE duhet të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut njëherësh, pa e ndarë Shqipërinë për arësye të krizës së gjatë politike.
Nëse Maqedonia e Veriut vlerësohet lart për arritjen e marrveshjes me Greqinë për emrin e saj, Shqipëria vlerësohet po kaq lart për kryerjen e reformës në drejtësi, të cilën BE e konsideron një model që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera.
Në vizitën që kreu në Tiranë, ditët e fundit, Christian Lange, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e cilësoi reformën në drejtësi “një parakusht për afrimin e Shqipërisë me BE, një proces unik në të gjithë rajonin, që hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, të orientuar vetëm nga e drejta dhe ligji”.
Por reforma në drejtësi nuk përbën argument që Franca, Holanda dhe së fundmi Greqia të lëvizin nga qëndrimet e tyre skeptike ndaj Shqipërisë lidhur me hapjen e negociatave.
Franca mbetet e shqetësuar për numrin e lartë të kërkesave për azil nga qytetaret e Shqipërisë dhe i quan ato “të paligjshme” pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurtë nga pikëpamja demokratike. Të njëjtin shqetësim ka ngritur javën e kaluar pranë Komisionit Europian edhe Holanda.
Ndërsa Greqia ka deklaruar së fundmi, se do të bllokojë hapjen e negociatave pasi në Shqipëri nuk respektohet e drejta e pronës së minoritetit grek.
Deri tani nuk ka shenja që vendet skeptike të ecin drejt ndryshimit të qëndrimit të tyre. Por shpresat për një „po” në 18 tetor mbeten, duke e parë mundësinë e një vendimi pozitiv si një „vendim politik të BE”.