Platforma sociale, Twitter njoftoi se ka vendosur t’ia pezullojë përgjithmonë llogarinë e presidentit në largim Donald Trump për shkak të rrezikut për nxitje të mëtejshme të dhunës.
Pasi protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan më 6 janar Kongresin amerikan, Twitter njoftoi për pezullimin prej 12 orëve të llogarisë së presidentit, për shkak se siç u tha, ai kishte bërë postime që përbënin shkelje të politikës së kësaj platforme të integritetit civil.
Më 8 janar, presidenti Trump bëri dy postime në Twitter, të cilat, sipas kësaj platforme sociale, kishin përmbajtje që paraqisnin shkelje të politikës së “Glorifikimit të Dhunës” të kësaj kompanie
Pas bllokimit të llogarisë së tij, Presidenti Donald Trump postoi nga llogaria e tij qeveritare fjalët: Nuk do të heshtim, teksa u shpreh se po mendon të hapë platformën e tij sociale në të ardhmen
Edhe kompanitë Facebook dhe Instagram kanë njoftuar më 7 janar se kanë vendosur t’ia bllokojnë llogaritë Trumpit në këto dy platforma, për të paktën dy javë, derisa Joe Biden të inaugurohet si president i SHBA-së.
Facebook dhe Instagram thanë se Trump “përdori platformat tona për të nxitur dhunë ndaj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike”.
Facebook, që ka në pronësi edhe platformën Instagram, nuk e ka përjashtuar mundësinë që llogaria e Trumpit të mbyllet përgjithmonë.