Realpolitik “ Flash” No. 49
7 – 17 Korrik 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik dhe “Mjeshtër i Madh”
Dr. JORGJI KOTE
1.” Tym i bardhë” doli më në fund në Shkup më 16 Korrik! Me 68 vota pro u votua propozimi kompromis francez. Kështu i çelet rruga çbllokimit bullgar, Konferencës së Parë Ndërqeveritare më 19 Korrik në Bruksel dhe çeljes së negociatave me vendin tonë.
Mirëpo për Shkupin, dhe tani pas 17 vitesh pritje, asgjë nuk është ende e sigurt. Sepse për të çelur negociatat, atij i duhet të miratojë më vonë ndryshimin kushtetues për përfshirjen e pakicave bullgare, të cilën opozita maqedonase dhe ditën e votimit e deklaroi se do ta kundërshtojë me forcë, duke mos lejuar 2/3 e votave; madje, ajo ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme dhe anulimin e gjithë këtij procesi.
Ndërsa për Shqipërinë pritja 8 vjeçare mori fund. Çelja e negociatave është vërtet arritje e shënuar, por tejet e vonuar. Ndaj nuk të ngroh si më parë dhe për shkak të rrugës së gjatë që do të na duhet të bëjmë me plot pengesa, të panjohura dhe ndërprerje. Ndryshe nga më parë, kur ato zgjatnin deri në 5 vjet, tani nuk ka më afate të tilla. Për herë të parë do të zbatohet Metodologjia e re e Zgjerimit e BE-së e miratuar në shkurt 2020; në bazë të saj, negociatat mund t’i ndërpresë dhe një vend i vetëm, kur një vend ka probleme. Shihni Serbinë dhe Malin e Zi, që ndonëse kanë 8 dhe 10 vjet në negociata kanë mbyllur vetëm 4 dhe 3 nga 35 kapituj! Së fundi, krijimi i Komunitetit Politik Europian mund t’i lerë në hije negociatat, meqenëse përparësi do të kenë proceset dhe rezultatet konkrete!
2. Më diskretë me NATO-n! Zakon i keq i liderëve tanë që i bëjnë publike disa lëvizje dhe hapa diplomatikë, përpara se të bisedojnë me homologët Euro- Atlantikë. Më 13 Korrik Kryeministri Rama ishte në selinë e NATO-s në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshem, Jens Stoltenberg, me të cilin dha dhe një Konferencë Shtypi rutinë.
Disa ditë përpara se të shkonte në Bruksel, ai bëri publike ofertën për të venë në dispozicion të Aleancës një bazë ushtarake detare në Porto Romano. Mirëpo, ra në sy se ndryshe nga Rama që e përmendi por dhe ai në fund atë, Stoltenberg as që e zuri në gojë këtë temë. Ndër shkaqet e ndryshme, kryesorja sepse është në traditën e NATO-s që të jetë diskrete për këto tema; sepse ato përfshijnë shumë komponentë politikë, ekonomikë, të sigurisë, etj, që duhen shqyrtuar përpara se të thuhet PO ose JO. Ndërkohë, nga ana jonë, këto aspekte vazhdohet të shihen nën prizmin e periudhës së Luftës së Ftohtë. Atëhere këto baza kishin shumë më tepër rëndësi, si “”vendi i vetëm socialist në botë”, të rrethuar ngado nga armiq. Ndërsa sot, ne rrethohemi nga vende aleate, ku janë vendosur prej kohësh shumë baza ushtarake. E megjithatë ato vende nuk bëjnë protagonistin si ne, ndonëse në renditjen e “Global Firepower” jemi të 115 nga 141 vende gjithsejt.
Në të tilla raste është më mirë që këto probleme fillimisht të diskutohen në kanalet e duhura zyrtare dhe vetëm në fund, kur projekti të jetë miratuar e gati për zbatim, mund të bëhet marketingu i duhur politik dhe diplomatik.
3. “Jo” e qartë diplomatike ishte largimi nga salla sapo do të fliste Kryeministri Rama e ambasadorit gjerman dhe ambasadores franceze në Tiranë gjatë takimit të organizuar më 15 Korrik lidhur me projekt-ligjin kundrathënës të amnistisë fiskale. Në fakt, ai takim ishte thirur si konsulencë me grupe interesi, dhoma tregtir, etj lidhur me këtë ligj. Mirëpo diskutimet e zv.Kryeministrit Ahmetaj dhe Ministres së Financave Ibrahimaj treguan se tashmë ai ishte “fakt i kryer”; ndaj, nuk bëhej fjalë për konsulencë, ca më pak për oponencë nga askush! Kërkohej vetëm bashkëpunim dhe mbështetje, madje dhe nga vetë BE-ja për zbatimin e shpejtë të këtij ligji problematik. Mirëpo, Ambasaorët e dy vendeve më të mëdha të BE-së, nuk mund të bëheshin pale në këtë mesele, sepse siç e pohuan vetë mbështesin qëndrimin kundërshtues të BE-së dhe FMN-së për atë projekt-ligj, ndaj dhe u larguan, duke e lënë pa fjalë mikpritësin e takimit. Të dy ambasadorët më vonë njoftuan me lezet dhe finesë diplomatike se ishin larguar për shkak të një angazhimi tjetër! Angazhim më të madh se aktiviteti dhe fjala e Kryeministrit Rama? Pastaj, pse nuk ikën disa minuta më parë të paktën, por pikërisht në momentin që ai do merrte fjalën?
Padyshim, ky përbën një ndër rastet klasike të “ Jo”-së së ngadalshme diplomatike” Ajo bëhet në heshtje, pa bujë, me justifikime të llojit të lartpërmendur. Fatkeqësisht liderët tanë nuk duan ta kuptojnë këtë JO. Kështu ndodhi dhe në fillim të muajit Maj në Berlin, kur Kancelari Scholz, në përgjigje të reklamës së KM Rama për “Ballkanin e Hapur” as që e zuri fare në gojë, por ligjëroi gjatë për Procesin e Berlinit! Ndaj, ju lutem, mos prisni të na e thonë hapur dhe me gërma të mëdha “JO”; nuk ndodh kjo me diplomacitë e konsoliduara perendimore. Pastaj, BE-ja kur të dojë “na kap me qerre”, duke filluar nga negociatat që mezi pritëm të çelen, të cilat mund të ndërpriten në çdo moment, sa herë “t’i hipim kalit së prapthi”!. Kujdes, është tepër vonë për sovranistët, populistët dhe euroskeptikët, qofshin ata dhe në majë të piramidës së përkohshme qeveritare!
4.Pragmatizmi, pastaj parimet në politikën e jashtme u konfirmuan qartë dhe në vizitën zyrtare të Presidentit Biden në Arabinë Saudite më 15 Korrik. Ndryshe nga sa kishte premtuar në fushatën zgjedhore, se do izolonte Princin Trashëgimtar Muhammed bin Sahlam, si përgjegjës për vrasjen barbare të gazetarit të « Washigton Post » Kashhoggi më 2018, kritikave dhe paralajmërimeve të shoqatave të të drejtave të njeriut, Biden u takua me Princin. Kësisoj, dëshmoi dhe njëherë se sot pragmatizmi dhe realpolitika janë të parat, pastaj, në funksion të tyre vijnë parimet dhe moralizimi, demokracia dhe shteti i të drejtës.
Agresioni rus ndaj Ukrainës e ka bërë dhe më të dukshëm dhe të nevojshëm këtë realitet. Ndihmesa saudite është jetike, sidomos për stabilizimin e tregjeve të naftës dhe qëndrimin ndaj Iranit. Edhe pse Princi akuzohet për vrasjen e gazetarit, sërish ai përbën alternativën më të mirë në atë vend strategjik. Ndaj, sipas Realpolitikës, “ derrit duhet t’i thuash dajë”. Këtë bëri dhe Bideni në Arabinë Saudite, ndryshe do të duhej “t’i binte murit me kokë”
© 2022 Argumentum