Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në Tiranë, ku një i ri pasi është shoqëruar në komisariat, ka shfaqur probleme shëndetësore, dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Ndalimi i shtetasit Lear Kurti, 32 vjeç u bë rreth orës 23:07, në rrugën “Riza Cuka”. Ndonëse të riut iu bë thirrje që të ndalonte, ai nuk iu bind policisë dhe tentoi të largohej, por u ndalua.
Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit.
Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, i riu është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës.
Njoftimi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr. 3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë.
Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç.
Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se ditën e djeshme, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.
Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.
Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës.
Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itinerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr. 3.
Ky itinerar pasqyrohet në pamjet filmike të administruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë.
Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë, me ngjyrë të bardhë, me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.
Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes.
/Argumentum.al