Presidenti Donald Trump po kritikohet për sulmet ndaj katër ligjvënëseve demokrate që i përkasin pakicave.
Dhoma e Përfaqësuesve, kryesisht në linja partiake, votoi për të dënuar disa nga komentet e presidentit, që ajo i cilësoi si raciste.
Në të njëjtën kohë, demokratët e opozitës mbeten të ndarë mbi çështjen e fillimit të procedurave për shkarkimin e Presidentit Trump apo përqëndrimin e energjisë në mposhtjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, përplasja ka zhytur vendin në një debat të ashpër mbi racën, emigracionin dhe ideologjinë politike.
Para një turme entuziaste në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump sulmoi përsëri katër ligjvënese demokrate, të gjitha gra me ngjyrë.
Në një moment gjatë fjalimi të tij, Presidenti vuri në shënjestër ligjvënësen e Minesotës Ilhan Omar, duke nxitur thirrjet nga turma “kthejeni në vendin e saj”.
Paraqitja konfrontuese e Presidentit Trump ndodhi në të njëjtën ditë që Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër një nisme për të filluar procedurat e shkarkimit të tij.
Por më parë gjatë javës, Dhoma e Përfaqësuesve bëri një hap të pazakontë, duke votuar për të dënuar dhe cilësuar si raciste disa nga sulmet e Presidentit Trump ndaj katër ligjvënëseve demokrate.
Të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve mbështetën rezolutën, përfshirë aktivistin e të drejtat civile John Lewis nga Xhorxhia.
Presidenti Trump ka mohuar akuzat se është racist, por ka sulmuar katër ligjvënëse, duke i quajtur ato socialiste dhe u ka thënë atyre të largohen nga vendi nëse nuk janë të kënaqura.
Disa republikanë i kanë kritikuar sulmet, por shumë të tjerë duke përfshirë Senatorin John Kennedy, e mbështesin Presidentin.
Fokusi i Presidentit tek tensionet racore dhe ideologjike po e gris strukturën e vendit, paralajmëron ligjvënësi demokrat Dean Phillips.
Fitorja e ngushtë e Presidentit Trump në vitin 2016 dhe mbështetja relativisht e ulët për punën e tij ia vështirëson atij përpjekjet për t’u rizgjedhur, thotë analisti Kyle Kondik.
Retorika tensionuese e kësaj jave mund të shërbejë si një hap paraprak i një fushate të acaruar dhe të paqëndrueshme presidenciale vitin e ardhshëm.