Kryeministri i Grenlandës bëri thirrje për pavarësi nga Danimarka dhe heqjen e “prangëve” të kolonializmit në një fjalim të ashpër të Vitit të Ri këtë javë, raporton Politico.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë me një popullsi prej rreth 60,000 banorësh, ishte një koloni daneze derisa u bë vetëqeverisëse me parlamentin e saj në 1979. Mbetet një territor i Danimarkës, me Kopenhagën që ushtron kontroll mbi politikën e saj të jashtme dhe të mbrojtjes.
Thirrja e ripërtërirë vjen pasi presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sugjeroi edhe një herë blerjen e Grenlandës nga Danimarka – një propozim që ai bëri gjatë mandatit të tij të parë dhe e përsëriti muajin e kaluar, duke e quajtur blerjen e territorit të Arktikut nga SHBA si një “domosdoshmëri absolute”.
“Tani është koha për të ndërmarrë hapin tjetër për vendin tonë,” tha kryeministri i Groenlandës Múte Egede.
“Ashtu si vendet e tjera në botë, ne duhet të punojmë për të hequr pengesat ndaj bashkëpunimit – të cilat mund t’i përshkruajmë si prangat e epokës koloniale – dhe të ecim përpara,” shtoi ai.
Egede, i cili ka udhëhequr Grenlandën që nga viti 2021 dhe vjen nga partia pro-pavarësisë Komuniteti i Popullit (IA), tha se marrëdhëniet e Danimarkës me Grenlandën nuk kishin krijuar “barazi të plotë” dhe se ishulli meriton të përfaqësojë veten në skenën botërore.
“Bashkëpunimi ynë me vendet e tjera dhe marrëdhëniet tona tregtare, nuk mund të vazhdojnë të zhvillohen vetëm përmes Danimarkës,” tha ai.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2009 me Danimarkën, Grenlanda mund të shpallë pavarësinë vetëm pas një referendumi të suksesshëm – të cilin Egede duket se ka lënë të kuptohet se do të mbahet së bashku me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ishullit në prill.
“Tashmë ka filluar puna për krijimin e kornizës për Grenlandën si një shtet i pavarur,” tha ai. “Është e nevojshme të ndërmerren hapa të mëdhenj… Periudha e re zgjedhore e ardhshme duhet së bashku me qytetarët të krijojë këto hapa të rinj.”
Ndërsa fuqitë globale kërkojnë të zgjerojnë shtrirjen dhe gjurmën e tyre në Arktik, Grenlanda e pasur me minerale – e cila pret një bazë ushtarake të SHBA-së – është e lakmuar për vlerën e saj strategjike në siguri dhe tregti.
Mendimet imperialiste të Trump tërhoqën një qortim të ashpër nga Egede, i cili deklaroi se Grenlanda “nuk është në shitje”. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen në vitin 2019 e quajti ofertën e SHBA “absurde”.
Disa orë pasi Trump postoi komentet e tij të fundit, Danimarka njoftoi se do të rriste shpenzimet e mbrojtjes në Grenlandë me të paktën 1.3 miliardë euro – megjithëse ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen tha se koha ishte thjesht një “ironi e fatit”.
Pavarësisht nga burimet e saj të pasura minerale, Grenlanda mbështetet në Kopenhagen për ndihmë të konsiderueshme financiare, duke marrë një subvencion vjetor prej rreth 500 milionë euro.
/ Argumentum.al