Udhëheqësit e BE-së janë në Bruksel të enjten dhe kanë shumë për të folur, duke përfshirë mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe rritjen e mbrojtjes së Evropës; situata në Lindjen e Mesme; dhe anëtarëve të ardhshëm të bllokut.
Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të bllokut do të debatojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjë më shumë Evropa për të mbrojtur veten dhe për të rritur industrinë e saj të armëve, duke pasqyruar frikën se Rusia mund të mos ndalet në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë një mbrojtëse aq e vendosur e Evropës në të ardhmen.
Përgjatë takimit dy ditësh në Bruksel, ata do të trajtojnë gjithashtu tema të ndryshme si luftën në Gaza, mundësinë e hapjes së bisedimeve me Bosnjën për anëtarësimin e saj në bllok dhe protestat e fermerëve.
Por Ukraina do të jetë në krye të diskutimeve me presidentin Volodymyr Zelenskiy, që do t’i drejtohet takimit përmes video lidhjes.
Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur shqetësimin në rritje për situatën në Ukrainë, me forcat ukrainase që vuajnë mungesën e municioneve ndërsa po luftojnë për të frenuar trupat ruse, dhe një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Kievin, që ka ngecur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Përpara samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se evropianët “përballen me një moment të rëndësishëm. Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme.” Planet e reja janë në tavolinë, veçanërisht për të përdorur fitimet nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë dhe municione të Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të bashkohet me liderët në fillim të takimit të tyre dy-ditor, pjesërisht për të inkurajuar disa vende anëtare që të rifillojnë fondet për agjencinë e ndihmës palestineze të OKB-së, ofruesin kryesor të ndihmës në Gaza.
/Argumentum.al