Të shtunën, më 24 gusht, Ukraina feston 33 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.
Dita e Pavarësisë së Ukrainës feston miratimin nga Verkhovna Rada e SSR-së së Ukrainës në 1991 të Deklaratës së Pavarësisë së Ukrainës – një dokument politik dhe ligjor që kishte vërtetuar statusin e ri të shtetit ukrainas.
Ukraina kishte kaluar një rrugë të gjatë për të fituar pavarësinë e saj.
Pas puçit të gushtit 1991 në Moskë, një seancë e jashtëzakonshme e Verkhovna Rada e SSR-së së Ukrainës, më 24 gusht 1991, shpalli pavarësinë e Ukrainës dhe krijimin e një shteti të pavarur – Ukrainës. Kjo do të thoshte se shteti ukrainas ka territorin e tij të pandashëm dhe të paprekshëm, në të cilin zbatohen vetëm Kushtetuta dhe ligjet e Ukrainës.
Ukraina fitoi pavarësinë e plotë pas një referendumi mbarëkombëtar më 1 dhjetor 1991, ku 90.32% e qytetarëve votuan për pavarësinë.
Sot 33-vjetori i shtetësisë ukrainase përkon me një tjetër moment historik më tragjik – 30 muajt e luftës gjithëpërfshirëse të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ky është viti i tretë ku Pavarësine e saj Ukraina e feston ndërsa lufton një luftë ekzistenciale kundër Rusisë,
Presidenti Volodomyr Zelenskyy ka mbajtur një fjalim emocinues për të shënuar 33 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik – ndërsa ajo vazhdon ofensivën e saj brenda Rusisë.
Përpara festimeve të Ditës së Pavarësisë, Zelenskyy e përshkroi ofensivën e Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë si “drejtësi” dhe “bumerang për të keqen”.
Ai iu referua gjithashtu kufirit rus si “midis Ukrainës dhe shtypjes, midis jetës dhe vdekjes… një shtet i pavarur evropian dhe organizata numër një terroriste në botë”.
“Pavarësinë e ndiejmë secili nga ne. Dhe, të bashkuar, ne mund të fitojmë…Ne i bëmë ballë, e frenuam dhe e zmbrapsëm armikun, dhe tani jemi duke e fundosur. Ne e dimë çfarë është pavarësia, sa e vështirë është ta ringjallësh atë, sa e vështirë është ta mbrosh atë. Por, ne e dimë gjithashtu se çdo gjë varet nga ne”, tha Zelensky.
Ukrainasit po e festojnë pavarësinë në një kohë kur forcat ukrainase po kryejnë një inkursion befasues në rajonin Kursk të Rusisë, në kufi me Ukrainën. Kievi thotë se tani i ka nën kontroll 92 vendbanime dhe 1.260 kilometra katrorë territor rus.
Ukraina thotë se inkursioni, i cili e zuri në befasi Moskën dhe i tronditi udhëheqësit elitarë të Rusisë, ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë brenda Rusisë, për t’i mbrojtur civilët ukrainas nga bombardimet ruse nga matanë kufirit.
Udhëheqësit e Ukrainës kanë sqaruar vazhdimisht se inkursioni nuk synon kapjen e territorit rus, për dallim nga Rusia që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, saktësisht para dy vjetëve e gjysmë.
“Duhet ta kemi patjetër një kufi të fuqishëm mes nesh dhe armikut, dhe jo mure midis ukrainasve, sepse Ukraina është e jona”, tha Zelensky.
Zelensky gjithashtu e paralajmëroi tërthorazi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se lufta e tij do të dështojë, duke thënë se “gjyshi i sëmur nga Sheshi i Kuq… nuk do të na i diktojë vijat e tij të kuqe”.
“Vetëm Ukraina dhe ukrainasit do të vendosin vetë se si jetojmë ne, se çfarë rruge zgjedhim dhe çfarë vendimesh marrim. Sepse kështu e ka pavarësia”, shtoi ai.
Derisa inkursioni i Ukrainës po vazhdon në Kursk, Rusia, në anën tjetër, është duke e shtyrë përpara një ofensivë në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, pasi synon ta kapë Pokrovskun.
/Argumentum.al