SHPENDI TOPOLLAJ
Kur të pashë o miku im dinjitoz teksa protestoje i vetmuar, fillimisht sepse m`u dhimbse. Por kur të dëgjova duke folur burrërisht në atë intervistën para godinës së Kryeministrisë, u ndieva krenar. Dhimbja që ndieva u transferua tek indiferenca që tregon media e shkruar dhe ajo televizive ndaj protestës tënde krejt njerëzore, krejt qytetare dhe krejt demokratike. Kurse unë edhe pse pak larg teje fizikisht, jam aty me ty. Jam me ty pasi e di mirë se çfarë përfaqëson. Të njihja nga muzika jote e magjishme, ku ti ashtu sikurse shprehej romantiku anglez William Wordsworthi i mbushje fletët e pentagramit me rrahjet e zemrës tënde.
Të njoha pastaj kur drejtoje Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku ti u solle gjithmonë si një shqiptar i madh që nuk shihje asnjëherë bindjet a krahët politikë ku krijuesit ishin rreshtuar. Ishte ti që kur burrat tanë të shtetit pas ngjarjeve kobzeza të vitit 97 – të, nuk guxonin të venin mes tropojanëve që vetë i kishin ngatërruar, more inisiativën dhe na çove atje. Kishim mes nesh Pjetër Arbnorin e plot burra të shquar dhe na priti madhërisht i shkathëti dhe i miri Azgan Haklaj dhe drejtuesit e pushtetit vendor të atij vendi, populli i të cilit mund të quhet pa frikë pastërtia e racës tonë. Çfarë hareje u krijua mes atyre mijra burrave dhe grave ato dy ditë, ku ata ndofta më shumë se kurrë u ndien shqiptarë të vërtetë. Dëmin që kish bërë politika, e ndreqi arti e letërsia, ku një meritë të padiskutueshme kishte ti o miku i shquar i të gjithve. Por gjithashtu të njoha edhe kur ti zure vendin e merituar në parlament dhe asnjëherë nuk provokove sherre e ndarje dhe ku asnjëherë nuk u përfole si i korruptuar. Ti ishe i ndershëm dhe ndofta pikërisht për këtë nuk mund të të mbanin më gjatë atje.
Dhe ja ku erdhi faza tjetër; në rrëmujën e asaj kohe, kur gjithçka nga marria kolektive prishej, shpërdorohej dhe vidhej, ti nisur nga qëllime fisnike, prishe rehatinë tënde dhe shkove atje në Ksamil, ku jo vetëm shpëtove e rivitalizove shtëpinë e Kulturës, por edhe zbatove porosinë aristoteliane se “Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës, nuk është aspak edukim”. Pa ndihmën e shtetit, një Zot e di sesa je munduar e ke vuajtur për ta bërë atë një model sesi duhen ruajtur dhe shfrytëzuar vlerat tona artistike e kulturore, sesi i duhet dhënë rëndësi trashëgimisë tonë të vyer, sesi duhen përkrahur njerëzit e artit dhe si i duhet bërë jehonë krijimtarisë së tyre. Por ti e dije mirë atë që thosh F. Dostojevski se “Lumturia nuk vjen nga rehatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes”. Por ja që nuk të lanë që ta shijosh gjatë atë lumturi. Nxorrën ca artifica, se për këtë qeveritarët tanë janë mjeshtra, dhe të nxorrën nga ajo që duhej të qe e jotja dhe për pasojë, e të gjithëve. Ti e mban mend mirë sesi na e morën godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ne e kishim pronën tonë atë, madje edhe të hipotekuar, po kush do t`ia dijë për rregulla e ligje në vendin tonë? Na flakën pa pikën e gajles në rrugë, pa denjuar të japin asnjë shpjegim. Edhe ne e kishim gabim që kërkonim shpjegime dhe arsyetime në një shtet gangsterësh. Nuk mbajtëm parasysh këshillën e Volterit se “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim”. Këtë ti i dashur mik po e provon prej ditësh në shpinën tënde duke pritur përgjigje për ato dyzetedy letrat që u ke dërguar.
Ia dhanë Konfederatës qëndrën e Artit “Dea” se nuk do kush të dëgjojë për kulturën te ne. I kanë dëngla ato që thonë. Për ta është me interes të mos ketë sindikata, ndaj jepi atij që i drejton ato ndonjë thelë (larg qoftë me të ndahen dhe paratë), dhe rri i qetë. Ata qeshin kur ti flet për koncerte, për simfoni, për balete e opera. Qeshin, por kjo është për të qarë, është fatkeqësi e madhe kombëtare për sot dhe për nesër. Ke parë ti të realizojnë shkëmbime kulturore dhe artistike zyrtare me vëllezërit tanë të Kosovës? Po për këtë kush pengon? Qeveritarët tanë duhet të nxirrnin mësime nga shembulli yt që vure gjithçka pate e nuk pate në shërbim të kulturimit dhe edukimit të shoqërisë dhe të mendonin se kur një individ arrin të bëjë gjëra kaq me vlerë, po ne si shtet ç`na mbetet? Dhe a nuk sheh sesi bëjnë sikur nuk të vënë re aty ku qëndron stoik, si një filozof, para Kryeministrisë. Po kolegët e tu, intelektualët tanë pse heshtin, pse nuk të dalin në mbrojtje, pse janë bërë kaq apatik? Nga se kanë frikë gazetarët që të anashkalojnë? Po ti merr me vete edhe një magnetofon dhe për t`i kujtuar ata, vër ndonjë kasetë me atë muzikën tënde drithëruese. Ngrija zërin në kupë të qiellit se je me të drejtën. Me atë të drejtë që edhe mua më bën të thërras: jam me ty Limos Dizdari! Ruaje siç ke mbiemrin atë Kështjellën tënde të Artit dhe ashtu si Dmitri Shostakoviçi, shkruaj ndonjë vepër lirike për ata që s`duan t`ia dinë për dëshirat dhe aspiratat e popullit të tyre.