Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë vizitës në Komunën e Vitisë, e para e shtetit ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar që bashkërisht të ulën dhe të krijojnë një plan të zbatimit për hapjen e kësaj ure.
“SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Osmani.
Osmani, ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.
Të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do t’i vazhdojë konsultimet me partnerët ndërkombëtarë për hapjen e kësaj ure, por përsëri se hapja e saj “nuk është kundër askujt”.
Osmani tha se kërkesa e SHBA-së për t’u koordinuar në lidhje me hapjen e urës nuk duhet të shihet si diçka negative.
“I lus qytetarët tanë që lutjen e Shteteve të Bashkuara që të ulemi dhe të flasim me ta, të mos e marrin as si imponim as si kundër Kosovës, e aq më pak kundër hapjes së urës, sepse kjo do të ishte një logjikë kundër vetë Kosovës. Nëse ne përdorim taktika të njëjta ndaj mikut, sikurse ndaj Serbisë, vërtet është e pafalshme.
Sa i për ketë deklaratave të zëdhënësit të BE-së, Osmani ka thënë se nuk i komenton se ato janë raciste. Presidentja Osmani, ka thënë se për hapjen e urës nuk pyetet Serbia.
“Deklaratat e zëdhënësit të BE-së janë raciste, as nuk meritojnë më shumë vëmendje. Jam deklaruar në raport me ato deklarata raciste, nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njëjtë sikur zëdhënësi nga Sllovakia që nuk e pyet asnjë shtet fqinj kur e kalon urën e vet. Nuk pyetet Serbia për Urën tonë. Dialog nuk do të duhej të pranonte askush për këtë temë. Dialog me shpëtimtarët tanë, jo vetëm që është e nevojshme, është në interesin tonë mbi të gjitha. I lus qytetarët tanë në situatën kur në botë aleatët tanë po merren me lloj lloj konfliktesh, dhe po shohim vuajtjet njerëzore të konflikteve, që të punojmë me njerëzit që gjithmonë kanë qenë në krahun tonë”, ka dekklaruar Osmani.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për hapjen e urës në këtë kohë.
BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.
/Argumentum.al