EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Është fjala për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 Shtatorit në Itali dhe fitoren e bujshme të Giorgia MELONI, lideres karizmatike 45 vjeçare të ” Fratelli d’Italia”( Vëllezërit e Italisë). Triumfi i saj shkaktoi një uragan të vërtetë politik me emrin e saj, jo vetëm në Itali por dhe në krejt BE-në. Kjo mbasi këto zgjedhje ishin krejt të veçanta, sepse u zhvilluan pas krizës së koronës që e goditi tepër rëndë Italinë, krizave financiare, agresionit rus në Ukrainë, faturave të kripura të gazit, energjisë, produkteve ushqimore, përshkallëzimit të krizës së azilit, e cila është ” mollë sherri” me Brukselin dhe sfidave të tjera të njohura globale.
Fitorja e Melonit shënoi një kthesë të madhe historike në peisazhin politik italian dhe europian. Për herë të parë pas vitit 1945 fitoi bujshëm një koalicion i të djathtës ekstreme, i kryesuar nga partia post-fashiste “Vëllezërit e Italisë“ me pjesëmarrjen e ”Lega“ të Matteo Salvinit dhe ”Forza Italia” të Silvio Berlusconit. ” Vëllezërit e Italisë” siguroi 25,5 për qind të votave, nga vetëm 4 për qind më 2018, duke fituar shumicën absolute në të dy dhomat; Meloni do të jetë e para grua kryeministre e qeverisë së 68-të italiane. ”Lega“ mori 8,5 ndërsa Berlusconi 7,5 për qind.
PD-ja social – demokrate e Enrico Letta fitoi 20 për qind të votave, krejt të pamjaftueshme për të qeverisur, mbasi nuk mblodhi dot forca të tjera nga qendra.
Krahas gëzimit të ligjshëm të miliona pasuesve, triumfi i Melonit ka ngjallur shqetësime të mëdha në Itali dhe në Europë. Ndryshe nga Suedia, ku tri javë më parë fitoi dhe atje ekstremi i djathtë, në rastin e Italisë bëhet fjalë për një ndër 7 vendet më të industrializuara të botës dhe ekonomia e tretë më e madhe në BE, etj.
E djathta italiane fitoi sepse ishte tërësisht e bashkuar. Sistemi zgjedhor i kombinuar mazhoritar me proporcional i jep përparësi të madhe koalicioneve parazgjedhore. Konkurrencën dhe luftën politike e ashpërsoi dhe reduktimi i numrit të deputetëve në 400 nga 630 dhe i senatorëve në 200 nga 315. E majta shkoi në këto zgjedhje jetike e ndarë për disa nga çështjet më kapitale, si qëndrimi ndaj Ukrainës dhe Rusisë, veç grindjeve dhe përçarjeve në Partinë Demokratike Social-Demokrate. 2 vjet më parë, lideri i saj dhe ish kryeministër më 2013 – 2017, Matteo Renzi u largua duke krijuar “Italia Viva“ me 7,5 për qind të votave.
Veç kësaj, e majta nuk ishte me këmbë në tokë, ajo ka kohë që nuk trajton hallet dhe pritshmëritë e njerëzve të thjeshtë, të puntorëve, shtresave më të goditura nga krizat e njëpasnjëshme, pa frymëzim, pa besueshmëri. Në një periudhë kur shumica dërmuese e italianëve janë tejngopur me deklarime dhe pohime europianiste; ata duan zgjidhje apo qoftë dhe premtime se si të dalin nga këto udhëkryqe jetike.
Pikërisht këtë bëri liderja e “Vëllerzve të Italisë“, Giorgia Meloni; ajo u zotua thjesht dhe pa bujë se do të bënte gjithçka për të gjithë italianët, për « Zotin, Familjen dhe Italinë » për të rikthyer lavdinë e markës “Made in Italia“ dhe për një “bel paesa“; shkurt, “më shumë Itali, më pak Europë, më shumë familje tradicionale dhe sa më pak migracion të paligjshëm“. Veç kësaj, Meloni pati avantazh se Partia e saj, e krijuar më 2012 nuk kishte qenë asnjëherë në qeveri, as në atë të Draghit, por ka qenë në opozitë të përhershme, pra nuk është bashkëfajtore. Ja pse, Meloni që për ironi të fatit është lindur dhe rritur në një lagje tradicionalisht të majtë romake fitoi besueshmëri të madhe, duke e 6 fishuar rezultatin zgjedhor brenda 4 viteve!
Logot e mësipërme zgjedhore ajo i sintetizoi në një program qeverisës prej 25 pika, me premtime joshëse për pagat, pensionet, uljen e taksave për të rritur fuqinë blerëse, shtimin e fondeve për të varfërit, arsimin, shëndetësinë, etj.
Mirëpo, tani, shqetësimi i madh në Itali dhe në Europë është kostoja dhe fatura tejet e lartë dhe e papërballueshme e realizimit të këtyre premtimeve.
Kështu, vetëm reduktimi i propozuar i taksave nga 23 në 15 për qind do t’i kushtojë Italisë 20 – 58 miliard Euro, veç humbjeve të tjera të kushtueshme!
Shqetësimi bëhet dhe më i madh për shkak të treguesve mjeranë ekonomikë dhe financiarë të vendit. Borxhi i brendshëm është 150 për qind të GDP-së, ose 2700 miliard Euro, me një inflacion dhe papunësi në rritje, çmimet në stratosferë, etj. Për pasojë, në rastin e një dështimi të pritshëm, Italia do t a zhytet dhe më thellë në krizë, bashkë me të dhe Europa!
Në fakt, problemi me liderët populistë dhe euroskeptikë të këtij koalicioni është se nuk kanë bërë analiza shteruese ; ata flasin açik dhe si t’iu vijë për mbarë, « premtojnë qiejt », vetëm mohojnë dhe denoncojnë, vehtes i njohin vetëm meritat dhe sukseset, ndërsa gabimet dhe dështimet ia faturojnë të tjerëve ; brenda vendit opozitës, medias ndërsa jashtë vendit kryesisht burokracisë së Brukselit.
E megjithatë, në kushtet e tanishme në Itali, fjalët dhe premtimet populiste tingëllojnë ” muzikë e bukur” në veshët e elektoratit të zhgënjyer dhe pa besim te partitë tradicionale dhe liderët e tyre që tashmë konsiderohen « relike ». Kësisoj, në elektoratin italian zuri gjithnjë e më shumë vend mendimi « ne të humbur që të humbur jemi, atëhere, përse të mos i provojmë njëherë dhe këta”!
Nga ana tjetër, siç pohojnë ekspertët dhe vëzhguesit e njohur politikë, ky koalicion nuk ka një program të qartë dhe konkret me ide dhe vizione politike; kjo nuk mund të ndodhë përderisa ai është thjesht një grumbullim mekanik i të frustruarve, të pakënaqurve dhe të lodhurve nga politika. Vetë “Vëllezërit e Italisë“ u krijuan më 2012 me disidentë të Berlusconit dhe forcave të tjera politike. As Meloni nuk ka shfaqur ide politike të mirëfillta, me përjashtim të „ JO-së së përhershme ndaj çdo propozimi të qeverive të mëparshme. Mirëpo, përvoja e mëparshme tregon se këto ndjenja pa logjikë politike shuhen shpejt në politikën italiane, madje kthehen në bumerang për liderët e ndryshëm. Mungesa e partive të mëdha tradicionale dhe mosbesimi ndaj liderëve të tyre ka bërë që elektorati t’u drejtohet fytyrave të reja; mirëpo dhe këta të fundit, nga yje shumë shpejt kthehen në kometa politike që bien shumë shpejt nga qielli i pushtetit. Ja, shihni “5 Yjet“ që nga 32 për qind 4 vite më parë tani ra në 16 për qind! Ose populistin karizmatik Salvini, i cili nga 17 për qind më 2018, tani siguroi vetëm 9 për qind të votave !.
Në Itali mesatarja e jetës së një qeverie është vetëm 18 muaj. Giorgia Meloni vështirë t’i shpëtojë këtij realiteti. Ca më tepër që si Salvini dhe Berlusconi njihen për negativitetin dhe destruktivitetin e tyre politik, madje dhe kur janë në pozita të dobta, çka nuk përjashtohet as tani me Melonin.
Duke shkuar tej Italisë, fitorja e të djathtës ekstreme nuk është thjesht “dhimbje koke“ për BE-në, por një tjetër sfidë e jashtëzakonshme; me veprime dhe përplasje të pritshme me Brukselin dhe vendet antare, sidomos Francën dhe Gjermaninë. Tashmë në “kandar” është vetë pozita dhe qëndrimi politik ndaj BE-së. Lajmi i mirë është se ndryshe nga disa vite më parë, asnjë nga tri partitë e koalicionit të ri qeveritar nuk është në favor të një ”Ital exit” ose dalje nga BE-ja. Sepse e dinë që kjo është një odise që nuk i shpie kund, siç tregoi dhe përvoja me BREXIT.
Gjithsesi, ata janë për një BE të re, të ndryshme, siç është shprehur Meloni, pak a shumë sipas modelit hungarez “ demokraci iliberale”. Edhe pse tani në fund, ajo i i ka ulur ndjeshëm dozat e euro-skepticizmit, siç ka vepruar dhe me qëndrimet ndaj trashgimisë fashiste të Musolinit të partisë së saj. Sa për Salvinin dihet ashpërsia e tij me BE-në, kur ai e ka cilësuar Brukselin një ” fole gjarpërinjsh” Berluskoni është më i moderuar në qëndrimet ndaj BE-së me disa europianistë në atë parti. Kështu, Koordinatori Kombëtar i ” Forca Italia” Antonio Trajani para tre vitesh ishte Presidenti i Parlamentit Europian!
Meloni e bëri të qartë raportin e saj me BE-në dhe ditët e fundit kur deklaroi se “ festa mbaroi, Italia do të jetë në BE, por ndërkohë do të mbrojë interesat kombëtare si gjithë vendet e tjera antare nga Bruseli; ne jemi për një Europë të ndryshme, ku shteti i të drejtës të mos përdoret si armë ideologjike ndaj atyre që nuk janë me linjën.“
Në vijim, ajo ka kërkuar që ” Italia të jetë në pozita të barabarta me Francën dhe Gjermaninë, për një Konfederatë europiane që të respektojë sovranitetin e vendeve antare” Shqetësuese janë disa kritika dhe akuza direkte të saj ndaj Gjermanisë. Ekziston droja që nëse ajo vazhdon në këtë linjë anti-gjermane, e bashkërenduar dhe me aleatët e saj gjermanë, francezë, polakë, spanjollë, etj, kjo do të ishte me pasoja të dëmshme për rolin dhe imazhin gjerman.
Këtu lind shqetësimi tjetër në BE se koalicioni i ri qeveritar është mbështetës i qeverive në Poloni dhe Hungari, si dhe i ultra nacionalistëve në SHBA, Francë, Gjermani, Spanë dhe gjetkë; kësisoj, do të zgjerohet rrethi i vendeve që kundërshtojnë vendime madhore të BE-së në fushën e politikës së jashtme, si sanksionet ndaj Rusisë në rastin më të fundit, etj. Gjithashtu, fitorja e ekstremit të djathtë do të jetë frymëzim dhe inkurajim në zgjedhjet e ardhëshme në vendet e tjera europiane, për të realizuar idenë e Steve Bannon, ish Këshilltar i Trump per një alternativë fituese të ekstremit te djathtë në BE.
Qëndrimet, rezervat dhe kundërshtimet e hapura ndaj BE-së, në emër të sovranitetit, Italia pritet t’i shfaqë sapo të krijohet qeveria e re, si një nga mënyrat kryesore për të dalë nga qerthulli serioz ku ndodhet ekonomia dhe financat italiane. Një nga veprimet e para të qeverisë së re do të jetë kërkesa ndaj Brukselit për rishikimin e Planit të Rimëkëmbjes së BE-së prej 750 Miliard Eruro të miratuar në vitin 2020, prej të cilit ajo ka përfituar më shumë se çdo vend tjetër, plot 200 miliard Euro. Duke e justifikuar këtë me rritjen e çmimeve të gazit dhe energjisë, koalicioni fitues do të kërkojë më shumë, një mision tejet i vështirë, mbasi do të duhet konsensusi i të 27 vendeve antare të BE-së që dy vite më parë u arrit mes peripecish të panumurta.
Po ashtu, Italia do të kërkojë rishikimin e Paktit të Stabilitetit Ekonomik të BE-së që është pezulluar në tri vitet e fundit, për shkak të pandemisë COËID – 19. Këtu përfshihen ulja e kufirit të deficitit të brendshëm nën 3 për qind që është aktualisht dhe rritja e borxhit të jashtëm mbi kuotën aktuale 60 për qind të GDP-s. Sërish mision tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur; ca më tepër që Italia nuk respekton dot as standardet më minimale në këto fusha jetike.
Nga ana tjetër, Italisë do t’i duhet të vazhdojë me reformat e guximshme të filluara nga qeveria Draghi, çka sërish duket e pamundur me këtë koalicion të ri qeveritar, që vetëm kërkon, por nuk dihet se sa dhe çfarë mund të japë në këmbim. Sipas stilit populist, në rast dështimi, fajtori do të jetë BE-ja dhe Brukseli.
Çështë më e keqja, për realizimin e këtyre piksynimeve, Italia nuk do të hezitojë të kërkojë dhe ndryshimin e traktateve themelore të BE-së; të gjitha në emër të “ sovranizmit”. Mirëpo, ” sovranizmi” që ata shfaqin ngre pikpyetje dhe dyshime të mëdha lidhur me besueshmërinë e tyre politike. Siç pohon zv. Presidenti i Komisionit Europian, Franc Timmermans në një intervistë te ” La Republica” ” nuk njoh sovranist që ta mos jetë kundër institucioneve europiane”. Gjithsesi, krahas analizave që do të vijojnë, le të presim fillimin nga puna të qeverisë së re italiane me urimet më të mira.
© 2022 Argumentum