Para një viti më 1 dhjetor Ursula von der Leyen mori detyrën si presidente e Komisionit Europian me plane të mëdha për mbrojtjen e klimës dhe politikën ndërkombëtare. Pastaj erdhi Corona. Cili është bilanci i saj?
Ajo nuk ishte menduar në fillim si presidente e Komisonit Europian. Kristiandemokratët dëshironin kandidatin kryesor të fushatës zgjedhore, por presidenti francez e refuzoi atë, si pa përvojë. Propozimin e socialdemokratëve nuk e pranuan vendet europianolindore. Mes vendeve anëtare shpërtheu grindja, të cilën presidenti francez, Emmanuel Macron e zgjidhi me një surprizë. Ai propozoi ministren gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Europian. Me një shumicë të vogël, von der Leyen u zgjodh këtë post.
Në fjalimin e saj të parë, Ursula von der Leyen u përpoq të kënaqte të gjithë. Nga “green deal” për Europën deri tej ruajtja e të drejtave liberale qytetare, për secilin ajo kishte rezervuar një ofertë në program. Por kur vjen puna për realizimin e tyre mungon kurajoja, thotë eurodeputetja holandeze, Sophie in’t Veld. Von der Leyen premtoi që të veprojë ashpër, kur vjen puna tek respektimi i shtetit ligjor, pse nuk vepron ajo me vendosmëri kundër Polonisë. “Mund të flasësh për shtetin ligjor, por kur nuk vepron, atëherë çfarë vlere ka kjo?”, pyet eurodeputetja liberale. Sipas saj von der Leyen bën shumë propozime, por është e dobët në zbatim. Qoftë në zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, kontrollin buxhetor, qëllimet e klimës, kudo rregullat e BE nuk respektohen. Por presidentja e KE komunikon mirë, pranon eurodeputetja holandeze dhe ka diversitet në ekip.
Kriza e Coronës
Në muajt e parë të pandemisë, BE tregoi anën e saj më të dobët. Vendet anëtare i mbyllën kufijtë pa ujdi me njëri-tjetrin, nuk donin të ndihmonin me maska apo aparate inubimi dhe treguan egoizëm nacional. Von der Leyen e kuptoi, se duhet të vepronte kundër këtij imazhi të krijuar. Që atëherë ajo lufton në të gjitha frontet e pandemisë, nganjëherë dëshpërimisht për më shumë kooperim mes vendeve anëtare.
Nga Viviane Reding, eurokomisionere e BE nga Luksemburgu dhe njohëse e mirë e Brukselit, presidentja e KE merr vlerësimin maksimal. “Ajo pati fatin e keq të përplasej me këtë krizë. Dhe ishte e rëndësishme të shikoje, se ajo e ka forcën për ta përballuar atë. Miratimin për fondet (fondet e Coronës) dhe që mundi t’i bindë vendet anëtare (…) kjo është si mrekulli.” Hap pas hapi kryeqytetet europiane e kuptuan, se kanë nevojë për miratimin e tyre. “Dhe ideja e jashtëzakonshme, për të blerë vaksinën për të gjitha vendet anëtare – kjo ishte një masë e fortë.”
A ka bërë gabime von der Leyen? Viviane Reding nuk do të flasë për gabime, por në politikën e jashtme europiane nuk është arritur shumë. Kjo lidhet parimisht sidomos me parimin e votimit unanim. Për sa kohë vlen ai, “Europa nuk mund të ketë një zë të fortë në botë, se ka gjithmonë vende si Polonia apo Hungaria, që bëjnë probleme.”
Sipas mundësive…
Edhe gjykimi i europarlamentarëve të gjelbër për Ursula von der Leyen është pak a shumë miqësor: “tek çështjet e trajtimit të barabartë brenda Komisionit shohim një dallim të madh”, thotë kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Ska Keller. ” Në çështjen e mjedisit dhe të klimës kemi përshtypjen, se presidentja e KE e ka seriozisht me ambicien për të bërë më shumë”, përveç, për fat të keq, të ekonomisë bujqësore.
Po si është bilanci si menaxhere krizash? “Pikërisht në fillim të krizës së Coronës, çdo shtet bëri atë që e mendoi si të drejtë për vendin e tij, pa marrë parasysh fqinjët. Ndërkohë ka thirrje për më shumë koordinim por në fund ende asnjë vend nuk do të koordinojë.” Edhe eurodeputetja finlandeze, Heidi Hautala bën vlerësim pozitiv për Ursula von der Leyen. “Ajo vërtet bën punë të mirë në kohë të vështira.” Rezistenca kundër propozimeve të arsyeshme vjen kryesisht nga vendet anëtare, por problemi që ka Komisioni Europian, si në krizën e Coronës është shpesh se nuk ka komptencën. Përveç Ursula von der Leyen “dëgjon dhe i studion dosjet e caktuara”, thotë eurodeputetja.
Kriza e Coronës i ka dhënë von der Leyenit një mundësi të tregojë kompetencën e saj. “Ajo është e mirë në komunikim, shumë profesionale, në Francë është më e njohur, se paraardhësi i saj, Jean-Claude Juncker. Ekspertja e Institutit Jacques Delors, Christine Verger thekson se detyra e vështirë para Ursula von der Leyen është tani administrimi i fondeve të Coronës. Kohë për relaksim nuk ka, thotë vëzhguesja e BE-së.