Anëtarët në shërbim të ushtrisë franceze i kanë dërguar një letër presidentit Macron, duke e akuzuar si “frikacak, mashtrues dhe pervers“. Kjo është letra e dytë pas asaj të disa ditëve më parë, me të cilën e vinin në dijeni se vendi po shkonte për “luftë civile“, raporton “The Guardian”.
Letra, njësoj si e para, u publikua në revistën e krahut të djathtë, “Valeurs Actuelles”. Letra ishte nënshkruar në mënyrë anonime “nga personeli aktiv ushtarak” dhe është bashkëngjitur me një peticion në faqen e internetit të revistës.
Nënshkruesit e letrës i referohen vargut të shtatë të “Marsejezës”, himni kombëtar francez.
Letra e parë u botua më 21 prill, në 60-vjetorin e një grushti të dështuar kundër gjeneralit Charles de Gaulle lidhur me mbështetjen e tij për pavarësinë e Algjerisë.
Nënshkruar nga një numër gjeneralësh në pension, si dhe të paktën 18 ushtarë në shërbim, duke përfshirë katër oficerë, letra e parë paralajmëronte për “shpërbërjen” e Francës duke evokuar ato që i quante “rreziqe” e ekstremizmit islamik.
Në letër akuzohen edhe grupet anti-racizëm për nxitjen e “urrejtjes midis komuniteteve” dhe paralajmërohet se politikat “e buta” të qeverisë mund të shkaktojnë kaos që kërkon veprime ushtarake për “mbrojtjen e vlerave tona civilizuese“.
“Frikë, mashtrim, çoroditje: ky nuk është vizioni ynë për hierarkinë. Përkundrazi, ushtria është, në mënyrë ekselente, vendi ku themi të vërtetën sepse i kushtojmë jetën”, thuhet në letër.
“Edhe një herë, lufta civile po shpërthen në Francë dhe ju e dini këtë mjaft mirë.”
Revista online ku është publikuar letra, pretendon se deri në orën 10:00 të mëngjesit të së hënës, 76 461 njerëz e kishin nënshkruar peticionin.