Të paktën 100 palestinezë janë vrarë herët mëngjesin e sotëm kur ushtria izraelite bombardoi shkollën Al-Taba’een në lagjen Al-Daraj në lindje të qytetit të Gazës..
Shkolla strehonte banorë të zhvendosur, ku gjithashtu dhjetëra u plagosën nga sulmi izraelit.
Avionët ushtarakë izraelitë shënjestruan shkollën derisa besimtarët po kryenin namazin e sabahut.
Zyra e Qeverisë për Media në Gaza dënoi “masakrën” e shkollës, duke theksuar se sulmi është “pjesë e një fushate më të gjerë të gjenocidit dhe spastrimit etnik kundër popullit palestinez”.
“Ushtria pushtuese shënjestroi drejtpërdrejt civilët e zhvendosur gjatë faljes së namazit të sabahut, që çoi në një rritje të shpejtë të numrit të viktimave”, tha zyra për media.
Ajo vendosi “përgjegjësinë e plotë për masakrën mbi okupimin izraelit dhe administratën amerikane”.
Zyra e medias gjithashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave globale që të “ushtrojnë presion mbi Izraelin për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të vazhdueshëm të civilëve dhe njerëzve të zhvendosur në Rripin e Gazës”.
Ndërkohë, ushtria izraelite pretendoi se shkolla përmbante një “shtab ushtarak operativ” për grupin palestinez Hamas dhe se u “morën disa hapa për të minimizuar rrezikun e dëmtimit të civilëve”.
Sipas një raporti të Anadolu-t, me bombardimin e shkollës Al-Taba’een, numri i përgjithshëm i shkollave të shënjestruara nga ushtria izraelite në qytetin e Gazës gjatë javës së kaluar është rritur në gjashtë.
Pavarësisht thirrjeve të enjten nga ndërmjetësit, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.
Ky përshkallëzim erdhi mes kërcënimeve për hakmarrje nga grupi i Hezbollahut libanez pas vrasjes së komandantit të tij të lartë, Fuad Shukr, në një sulm ajror izraelit në Bejrut më 30 korrik dhe kërcënimeve të Iranit për t’u hakmarrë pas vrasjes së shefit të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në kryeqytetin Teheran më 31 korrik, një sulm që i atribuohet Tel Avivit.
Sulmi izraelit kundër Rripit të Gazës ka vrarë të paktën 39.700 palestinezë që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Më shumë se 10 muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.