SHBA-të duhet të përpiqen të bashkojnë nismat ndërmjetësuese për Ballkanin Perëndimor me përpjekjet e BE-së, thotë në intervistë me DW, Valeska Esch, drejtore e programit të Europës në Institutin Aspen në Berlin.
Deutsche Welle: Zonja Esch, Presidenti i Shoqatës së Europës Juglindore, Manuel Sarrazin, i tha Deutsche Welles se takimi i Uashingtonit, më 4 shkurt, ishte një “humbje kohe për rajonin dhe BE-në”. A pajtoheni ju me këtë përfundim?
Valeska Esch: Pajtohem që takimi në Shtëpinë e Bardhë nuk solli asnjë përmbajtje për dialogun mes dy vendeve dhe, sigurisht, as ndonjë kthesë historike. Unë as nuk e prisja këtë. Por shpresoja që së paku do të sillte diçka të re në raportin dypalësh mes dy vendeve. Por për mendimin tim, të gjitha pikat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me marrëdhënien dypalëshe ishin dakordësuar edhe më parë në korniza të tjera, qofshin ato në nivel dypalësh në Bruksel, ose në kuadër të Procesit të Berlinit.
Normalizimi dhe bashkëpunimi ekonomik jo vetëm midis Serbisë dhe Kosovës, por për të gjithë rajonin, janë tejet të rëndësishme. Sidoqoftë, shumë elemente ose nuk janë jetësuar, ose jetësimi i tyre po ecën me ritme shumë të ngadalta. Por unë dyshoj se kjo do të ndryshojë tani me një deklaratë të re qëllimi, e cila është edhe më pak specifike sesa shumica e marrëveshjeve tashmë të dakordësuara. Pjesa tjetër e marrëveshjes nuk ka asnjë lidhje me normalizimin midis dy vendeve, por ka të bëjë me një numër interesash të politikës së jashtme të administratës Trump.
Si shpjegohet atëherë që rezultati i takimit u prit me eufori nga pjesëmarrësit dhe liderët e tjerë në rajon?
Mbështetja e SHBA-ve ka qenë gjithmonë thelbësore për Kosovën dhe inskenimi i nënshkrimit në nivelin më të lartë në Shtëpinë e Bardhë ishte një moment i efektshëm mediatik për të gjitha palët. Prandaj edhe me sa duket të gjithë kishin rënë dakord ta prezantonin si një kthesë historike. Por po të shohësh pikat e dokumenteve të nënshkruara, konstaton se nuk është ashtu. Fitimi i vetëm nga perspektiva e Kosovës ishte njohja nga Izraeli, por kjo nuk është aq thelbësore për Kosovën. Sepse çmimi është hapja e ambasadës në Jerusalem, një hap që – ndryshe nga çfarë pretendon ambasadori Grenell – nuk përbën afrim me pozicionet “perëndimore”.
Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit ishte një hap i bërë nga administrata e Trumpit. Ky hap është i diskutueshëm jo vetëm brenda SHBA-ve, por ai refuzohet edhe nga BE-ja. Duke pasur parasysh që këto dy vende synojnë anëtarësimin në BE, ky hap sjell pikërisht të kundërtën. Pikat e tjera, siç janë klasifikimi i Hisbollahut si organizatë terroriste dhe angazhimi kundër diskriminimit të homoseksualëve janë sigurisht të drejta, por nuk kanë të bëjnë me raportet dypalëshe mes dy vendeve.
Nëse shohim pikat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale, si për shembull, pjesëmarrjen e Kosovës në Mini-Schengen, cili është disavantazhi, sipas mendimit tuaj?
Serbia dhe Kosova janë dy vende europiane që synojnë të hyjnë në BE. Prandaj është e rëndësishme të shtrohen binarët që i drejtojnë vendet nga ky destinacion dhe ndihmojnë në ecurinë e procesit të integrimit. Bashkëpunimi ekonomik në të gjithë rajonin është një nga prioritetet kryesore të BE-së dhe qeveria gjermane ka lancuar enkas për këtë Procesin e Berlinit, qysh në vitin 2014. Ç’është e vërteta, edhe këtu po përparohet me shumë vështirësi dhe shumë marrëveshje të arritura nuk janë jetësuar tërësisht. Për këtë nevojitet më shumë angazhim i politikanëve dhe qeverive në rajon dhe ndoshta më shumë presion politik nga ana e BE-së. Nisur nga kjo, për mendimin tim, mbështetja amerikane për nisma të tilla është shumë pozitive. Kujtoj se qysh në samitin e Procesit të Berlinit në Trieste, në vitin 2017, u miratua një plan veprimi disavjeçar për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike në të gjithë rajonin. Ky plan u pranua nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të ishte mire që ky plan të jetësohej më shpejt dhe në mënyrë më konsekuente, sesa të dilej dy vjet më pas me një nismë kinse të re, si ajo e „Mini-Schengenii Ballkanik“. Nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron ta mbështesë konkretisht normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe afrimin e tyre me BE-në, për mendimin tim, ajo duhet të përpiqet që t’i bashkojë këto nisma dhe së bashku me BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos me Serbinë e Kosovën, të punojë për jetësimin e tyre.
Pas takimit në Uashington janë shtuar sërish zërat që kërkojnë një rol moderues të BE-së në rajon. Çfarë mund të bëjë BE-ja më shumë se çfarë po bën deri tani?
BE-ja ka qenë përgjegjëse për ndërmjetësimin në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës që nga viti 2011. Ajo ndërmjetësoi marrëveshjen e parë dypalëshe në 2013. Por me kritikën që kurrë nuk bëri presion për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe se nuk ka bërë ndonjë përparim të mëtejshëm thelbësor në vitet e fundit. Për mua, caktimi i një përfaqësuesi për dialogun ishte një hap i rëndësishëm drejt marrjes së përgjegjësisë dhe intensifikimit të dialogut. Që nga prilli i këtij viti u ngarkua Miroslav Lajçaku të ndërmjetësojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit midis dy vendeve. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por ai gëzon mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së dhe sidomos Franca dhe Gjermania kanë kontribuar në mënyrë aktive. Mbështetja e SHBA.-së për këtë dialog gjithëpërfshirës do të jetë gjithashtu e rëndësishme në mënyrë që më në fund të gjendet një zgjidhje. Suksesi në këtë dialog do të varet gjithashtu nga vullneti politik dhe gatishmëria për kompromis nga ana e të dy qeverive dhe sidomos Serbia do të duhet të bëjë lëshime. Kjo kërkon zgjidhje të qarta dhe asnjë paqartësi konstruktive. Për më tepër, marrëveshjet duhet të formulohen qartë dhe të merret parasysh edhe zbatimi i tyre. Në këtë pikë BE-ja duhet të mësojë nga gabimet e marrëveshjes së vitit 2013. Sidoqoftë, nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë ta shohin të ardhmen e tyre në BE, siç e kanë nënvizuar edhe një herë qeveritë, nuk ka asnjë alternativë ndaj kësaj zgjidhjeje të gjithëpërfshirëse.
Valeska Esch ёshtё drejtore e Programit pёr Europёn pranё Institutit Aspen nё Gjermani.