Euro, dollari dhe valutat e tjera e kanë nisur javën me rritje, pas rënies së fortë që ato shënuan javën e kaluar, si rrjedhojë e pasigurive që lindën nga ndalimi i transportit të valutave jashtë vendit.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.24 lekë, me një rritje prej 0.66 lekësh në raport me fundin e javës së kaluar.
Krahas euros janë mbiçmuar të gjitha valutat e tjera. Dollari u rrit me 0.48 lekë, duke u ngjitur në 109.84 lekë.
Javën e kaluar euro dhe valutat e tjera shënuan një rënie të fortë, teksa vjedhja e parave që bankat do transportonin jashtë nga barku i avionit në Rinas, bëri që Austrian Airlines të ndalonte transportin e parave. Kjo çoi në një rënie të fortë të valutave, pasi bankat filluan të mos i tërhiqnin monedhat e huaja, pasi nuk kishin ku ti çonin.
Që prej ditës së martë, euro ra me 1.31 lekë, duke arritur të premten në 123.58 lekë, nivelin më të ulët nga fillimi i këtij viti. Ndërsa të premten euro shënoi rënien më të madhe që nga qershori, rënie që u rikuperua gjatë ditës së sotme.
Aktorët e tregut pohojnë se rritja e euros filloi që të shtunën, si rrjedhojë e shtimit së kërkesës për të. Sipas burimeve nga bankat, ndonëse nuk është zgjidhur ende çështja e transportit të parave, tregu sot ka reaguar pozitivisht, pasi dihet që kjo situatë është e përkohshme.
Gjithsesi, kursi i bankave mbetet shumë më poshtë se i zyrave valutore, pasi këto të fundit i parkojnë paratë në bankë, ndërsa bankat nuk kanë ku ti çojnë për momentin!
Burimet nga bankat thanë se ata janë në pritje të një zgjidhjeje, por kjo nuk është e kollajtë dhe kërkohet bashkëpunim mes qeverisë, bankave, Bankës së Shqipërisë. Nëse kjo situatë zgjatet bankierët pohojnë se do të vështirësohet veprimtaria dhe bankat do të fillojnë kufizimet e mbledhjes së valutave.
Bankat i transportojnë paratë jashtë për qëllime investimi të parave të lira, për transaksionet cash të kursit të këmbimit (kryesisht paund dhe franga zvicerane) si dhe për të realizuar pagesat e mëdha për klientët, ku paratë e transfertave u dërgohen bankave korrespondente.
Bankierët pohojnë se në pritje të zgjidhjes se si do të kryhet transportimi i parave, bankat nuk janë të prirura të bëjnë këmbime në euro dhe kjo mund të jetë problem për biznesin që kryen transaksione të mëdha, ndërsa për individët, që këmbejnë shuma të vogla nuk do të ketë probleme./monitor