Gjatë ditës së sotme, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim online me Komisionerin për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi.
Me Komisionerin Várhelyi, kryediplomati Cakaj diskutoi gjerësisht mbi mundësinë që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor për të siguruar vaksinën kundër COVID-19, në të njëjtën kohë si vendet e Bashkimit Europian.
Gjithashtu, në një reagim lidhur me takimin e zhvilluar, Cakaj bëri me dije se Komisionerit iu kërkua që politika e vaksinimit e BE-së të zbatohet njëherazi edhe në Shqipëri.
“Në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira, ky do të ishte shembull i jashtëzakonshëm i solidaritetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Cakaj.
Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi reagoi në Twitter duke konfirmuar se kishte pasur koordinim të mirë me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në lidhje me përditësimet e krizës së pandemisë.