Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar në Elbasan u ndal edhe te vdekja e një 32-vjeçari të ndaluar nga policia, ku theksoi se “nuk bëhet fjalë për asnjë lloj dhune, për asnjë lloj tejkalimi të forcës nga ana e policisë”.
Në fjalën e tij Rama tha se “ndërkohë që kemi përballë inflacionin e luftës, krizën e çmimit të energjisë, kemi jo përballë, se përpara ata nuk na dalin dot, por kemi nga mbrapa disa që na kapin dhe përpiqen të na tërheqin me lloj-lloj marifetesh, poshtërsish të zhytur në thesin e rublave të lidhur me grupet dhe me forcat më jo dashamirëse të këtij vendi jua them me përgjegjësi dhe në një përpjekje të përditshme për t’ua nxirë jetën njerëzve duke sajuar lloj-lloj gjëra si sajesa më e fundit që policia ka vrarë një tjetër të ri”.
“Ndërkohë që policia në bashkëpunim me prokurorinë dhe vetë Prokuroria me Mjekësinë Ligjore e kanë nxjerrë raportin qartësisht që nuk bëhet fjalë për asnjë lloj dhune për asnjë lloj tejkalimi të forcës nga ana e policisë, por bëhet fjalë për diçka krejt tjetër. Nuk dua të zgjatem, se dua ta respektoj viktimën. Ju e shikoni si janë shfaqur në të gjithë ekranet hienat që e shqyejnë të vdekurin minutë për minutë dhe që përpiqen që me erën vdekje të thërrasin të tjerë që u venë mbrapa dhe të mendohen se çfarë lloj shqiptarësh janë. Çfarë lloj shqiptari duhet të jesh që të besosh më tek këto lloj hienash që nuk kanë asnjë kod, asnjë pengesë morale, etike njerëzore dhe janë të gatshëm të sajojnë gjërat më monstruoze për të bërë atë që nuk duhet bërë në këtë kohë, për ti bërë njerëzit të ndihen edhe më keq”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “kur them që duhet të jemi të gjithë të bashkuar e jo të ndarë nuk është puna që të bashkohemi të gjithë në një parti, puna është që të bashkohemi tek e vërteta”.