Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj organizoi një pritje në prag të festave të Fundvitit, me përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, personalitete të spikatura të jetës publike, krerët e komuniteteve fetare në vend, e të tjera figura të nderuara të Tiranës.
Në fjalën e rastit, Veliaj tha se më në fund, pas pandemisë, qyteti i Tiranës i rikthehet pritjeve tradicionale festive, të cilat bëjnë bashkë njerëzit.
“Është një kënaqësi e veçantë që i rikthehemi traditës së të qenit bashkë, festimin e Krishtlindjes për besimtarët e krishterë, Hanukkah për besimtarët e komunitet hebraik dhe Vitin e Ri për çdo familje shqiptare”, u shpreh Veliaj.
Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, kryebashkiaku tha se Tirana nga Kryeqyteti Europian i Rinisë merr titullin e Qytetit Europian të Sportit 2023, për të cilën ftoi të gjithë personalitetet ta shtojnë në kalendarin e aktiviteteve.
“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën tonë. Ka qenë viti kur Tirana u shpall Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe sapo kemi kaluar stafetën te kolegët tanë polakë. Vitin tjetër, kur Tirana do të jetë Qyteti Europian i Sportit, mezi pres që me shumë prej jush, si ata që përfaqësojnë komunitetet e besimit, vëllezërit tanë këtu, edhe ata që përfaqësojnë komunitetet ndërkombëtare, nga ambasadat e pranishme në Tiranë, të kemi një vit tjetër aktiv,” tha ai.
Veliaj vlerësoi faktin se komunitetet e besimeve bashkëjetojnë më mirë se kudo në vendin tonë, pavarësisht festave fetare.
“Ky është ndër të vetmit vend në botë kur na vjen natyrshëm të jemi bashkë, si për Ramazan dhe Bajram, si për Pashkë dhe Krishtlindje. E çmoj shumë kontributin që jepni për kombin dhe qytetin tonë. Ky qytet është më i bashkuar falë jush, ky qytet është më tolerant falë jush. E kam zemrën plot mirënjohje, dashuri dhe respekt për kontributin ditor, që secili prej jush jep për ta bërë këtë qytetin jo vetëm më të madh e më të pasur të gjithë shqiptarëve, por edhe më të dashur”, shtoi ai.
Veliaj nuk la pa përmendur edhe Javët e Kulturës, si një traditë e re që i ka dhënë jetë qytetit.