Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Le ta themi me plot gojën që PO, vendimi i njëzëshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në favor të krijimit të qeverisë së re HOTI është mëse i drejtë, « në gërma dhe në frymë »! Eshtë vendimi duhur sepse Neni bazë 55 pika 5 dhe Neni 100 i Kushtetuës së Kosovës mbi krijimin dhe votëbesimin ndaj qeverisë përcaktojnë qartë që kur Kryeministri jep dorëheqjen ose largohet për arsye të tjera ( në fakt duhej të ishte formuluar saktë juridikisht se cilat këto « arsye të tjera » ) Presidenti i Republikës, në konsultim me partitë politike dhe koalicionin fitues kërkon një kandidat tjetër nga Paertia që ka dalë e para në zgjedhje ose koalicioni si në rastin tonë. Këtë e bëri në mënyrë të përsëritur Presidenti Thaçi, por Kryeministri në detyrë Kurti refuzoi në mënyrë të pakuptueshme për të dhënë një kanditaturë tjetër po nga Vetëvendosja; ose t’i linte vendin LDK-së si aleate. Është tjetër gjë pastaj nëse do pranonte LDK-ja ose dhe ndonjë parti tjetër të hynte sërish në qeveri me VV. Në fakt, Zonja Osmani ka pohuar se po t’i ishte dhënë asaj ky mandat, ajo do ta ribënte koalicionin me VV. Pra, mundësitë kushtetuese për koalicionin ekzistues qeveritar nuk ishin shteruar aspak.
Nëse Kurti e provokoi vetë mosbesimin ndaj tij, pikërisht për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, ky veprim, dhe pse jo anti-demokratik, nuk është sjellje politike e ndershme dhe ca më pak praktike, sidomos në kushtet e Kosovës.
Më konkretisht, në zgjedhjet e 6 Tetorit Kurti doli vërtet forca e parë politike, por jo me shumicë absolute; madje « rrotë më rrotë » me vetëm një votë diferencë me LDK-në, çka e detyroi të bënte koalicion me Mustafën.
Në këto kushte, për shkak të mungesës së vullnetit nga VV për rinovimin e koalicionit me LDK apo dhe me ndonjë parti tjetër, pas konsultave kushtetuese me Presidentin dhe forca të tjera politike, si partia e dytë pjestare e koalicionit qeveritar me VV, LDK propozoi kryeministrin Hoti në krye të një koalicioni të ri qeveritar, theksojmë me deputetë të dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, pra me mandat të plotë dhe kushtetues.
Theksojmë se Kushtetuta e Kosovës jo vetëm nuk nxjerr asnjë pengesë në këtë drejtim, por është dhe praktikë e njohur ndërkombëtare që, kur gjatë një krize qeveritare, partia e parë fituese nuk zgjedh dot një kryeministër, i lihet radha partnerit të dytë dhe vetëm kur këto demarshe dështojnë shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Kësisoj, me Qeverinë Hoti nuk ka mohim të demokracisë dhe as shkelje të Kushtetutës, dhe vullneti i shumicës dërmuese të zgjedhësve respektohet plotësisht.
Le ta theksojmë, vetëm nëse LDK nuk do të krijonte dot një koalicion të ri funksional do të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Pa shkuar larg në kohë, kështu ndodhi vitin e kaluar në Spanjë, Itali e sidomos në Izrael, ku këto dy vitet e fundit u zhvilluan katër palë zgjedhje në dy vjet ! Sepse asnjë parti nuk krijonte dot një koalicion të tillë. Shembull tjetër i qartë është Belgjika, ku ende kreu i qeverisë vazhdon t’i takojë një partie që ka dalë e treta në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por vetëm ajo mundi të krijonte koalicion qeveritar pa përsëritur zgjedhjet. Ndryshe, këto të fundit do të bëheshin një refren i bezdishëm ; për më tepër, në vend të zgjidhjeve, do të sillnin vetëm « zgjedha » dhe makthe elektorale !
Për të qenë të ndershëm, le të pranojmë për një çast dhe logjikën e Vetëvendosjes për zgjedhje të parakohshme. Po i lemë mënjanë problemet e shumta politike, organizative, vëzhguesit, shpenzimet maramendëse dhe humbjen e një kohe tejet të çmuar. Por, kush jep garanci se VV dhe Kurti do të fitojnë isur nga disa sondazhe shumicën absolute dhe të krijojë qeveri i vetëm? Sondazhet janë, por sidomos në Ballkan e Kosovë ato « nuk pinë shumë ujë ». Por le ta pranojmë dhe logjikën se për shkak të indinjatës së drejtë ndaj rrëzimit të qeverisë Kurti Vetëvendosja do të kishte një rritje, madje të ndjeshme nga ai i disa muajve më parë në këto zgjedhje. Por tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur të korrte dyfishin apo dhe më shumë të atij rezultati. Sepse dhe elektorati i partive të tjera, kur dihet sa e parcelizuar politikisht është Kosova nuk « do të rrinin duarkryq » e të « bënin sehir ». Atëhere, në rast se nuk do të fitonte shumicën absolute në ato zgjedhje, a mund të krijonte më koalicion Kurti si tani dhe me kë, sepse të gjithë i ka kundër. Atëhere, kishte shumë të ngjarë që Kosova të shkonte sërish në zgjedhje të parakohshme dhe cikli do të përsëritej pa mbarim. Mirëpo, a e ka Kosova këtë « luks » të panevojshëm politik kur ka kohë që po ballafaqohet me të paktën me 10 sfida serioze ulëritëse brenda e jashtë vendit ? Sidomos kur po fillon « numërimi mprapsht » për dialogun dhe nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë.? Siç bënë thirje disa ditë më parë sërish Gjermanjia dhe Franca? Apo do të presë më tej që të shtohen dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë duke vërtetuar kështu thënien e urtë popullore se « shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk »? E kujt do ti hynte atëhere në punë ky sukses sado i bujshëm i VV dhe e kujtdo partie tjetër që do të ishte vërtet « fitore si e Piros » ?
Këto janë arsye të mjaftueshme për të dëshmuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovë është i drejtë dhe duhet të respektohet « pa një, pa dy » Aq më tepër që e kërkoi vetë Kurti dhe tani askush nuk mund të qëndrojë mbi atë vendim. Sa për difektet në Kushtetutën e Kosovës, ku çuditërisht të paktën ” në gërmë” nuk ka asnjë afat për paraqitjen e mandatarit të ri për Kryeministër, ky do zgjidhur sa më shpejtë sa më shoejt me ndryshimet përkatëse por jo të abuzohet me të, siç vepron Kurti! Ca më tepër kur fryma është atje dhe nuk mund të shtyhet në kalendat greke propozimi i mandatarit te ri ! Ndryshe, krizat në Kosovë do të bëhen « buka dhe gjalpi » i politikës. Ndërsa Kurti të shkojë në opozitë dhe aty të mendojë se si dhe kur do të kthehet në pushtet; veçse « me mend në kokë e këmbë në tokë » dhe sipas parimit « trimi i mirë me shokë shumë »
/argumentum.al/
© Argumentum