Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim në ligjin “Për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore”, ku propozon shtimin e Ditës së Alfabetit si festë kombëtare.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se kjo është një ditë me simbolikë të veçantë.
“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, të cilët janë të shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuar në të gjitha fetë monoteiste. Por ajo që vërtetë i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen me këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë në alfabetin latin”, u shpreh Hasani.
Ministri informoi se kjo iniciativë u bazua edhe në diskutimet që patëm pas Samitit të Diasporës.
“Kryeministri i Shqipërisë e njoftoi në prani të të gjithë përfaqësuesve të diasporës shqiptare, por duke pasur parasysh edhe faktin se ky vit, viti 2024, është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon. Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë dhe sa më të shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian por edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Kosovës, Preshevës apo Malit të Zi janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese”, tha Hasani.
Ai bëri të ditur se nga Ministria e Arsimit është përgatitur gjithashtu një kalendar shumë i rëndësishëm eventesh për vitin 2024 të lidhura me gjuhën shqipe.
“Ne do të vazhdojmë të kemi përfshirjen maksimale dhe investimin maksimal për ta bërë shqiptarinë dhe punën e shqiptarëve sa më të mirëpërfaqësuar dhe me sa më shumë evidente kudo ku ne jemi”, shtoi Hasani.