Gjykata e Lartë vendosi sot të pranojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 Janarit të vitit 2011, duke detyruar SPAK të regjistrojë procedim penal për dosjen e “21 Janarit”.
Vendimi u morë nga trupi gjykues Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
“Gjykata e Lartë vendosi që hetimet sa i takon vrasjes së Aleks Nikës, të kryhen nga SPAK. Gjykata e Lartë urdhëroi SPAK të regjistronte kallëzimin e familjarëve të Aleks Nikës”, bëhet me dije nga vendimi i trupit gjykues.
Çështja në Gjykatën e Lartë u dërgua nga familja e Aleks Nikës, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut të datës 14 nëntor 2023, që kërkon identifikimin e autorëve të vrasjes së Nikës, që ka mbetur pa autorë.
Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan.
Kryeministri Edi Rama reagoi sot për vendimin e Gjykatës së Lartë për “21 Janarin”.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 Janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare”, u shpreh Rama në një postim në platformën X.
“Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë”, theksoi Rama.
“Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 Janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”, nënvizoi Rama.
“Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 Janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”, u shpreh Rama.