Gjykata e Tiranës ka dënuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha me gjobë, pas padisë së bërë nga kreu i deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Basha u dënua për shpifje nga Ballës me 50 mijë lekë gjobë.
Taulant Balla paditi Lulzim Bashën pas akuzave që ky i fundit bëri ndaj tij për kapjen e 3 milionë eurove në Portin e Durrësit, në makinat “Toyota Yaris”.
Taulant Balla reagoi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës. Në një prononcim për mediat ai e quajti “vendim historik”. Gjithashtu, kreu i deputetëve të PS, paralajmëroi kreun e Partisë Demokratike se do të përballet dhe me një padi tjetër.
Gazmend Bardhi, i cili në këtë proces ishte avokat i Lulzim Bashës, deklaroi për mediat se kemi të bëjmë me një vendim flagrant. Sipas tij, gjykata nuk vlerësoi asnjë provë, por vetëm mori për bazë deklaratat që ka bërë Tulant Balla.
Sipas PD-së, vendimi i sotëm është shenjë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga ana e Qeverisë.