Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi mbrëmjen e sotme pas vendimit të Apelit që riktheu në Shkallën e Parë gjykimin e çështjes së vulës dhe logos së kësaj partie.
Berisha iu drejtua me një mesazh qytetarëve, duke u shprehur se “sot në darkë Edi Rama, komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.
“Sot tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës, të paralajmëruar kohë më parë ambasadorëve të caktuar, të akredituar në Tiranë të paralajmëruar në parlamentin shqiptar.
Sot gjithashtu jemi në një orë, kohë prove të vërtetë dhe unë kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht dhe çmim pluralizmin në Shqipëri dhe PD-në”, tha ai.
Sipas Berishës, vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit amerikan McGongial, të kaluar në një seri etapash, sot konkludoi me një vendim të pashembullt në Europë dhe botë.
“Unë kam besim të madh, se siç kapërcyem në mënyrën më legjitime, më të vendosur të gjitha kurthet, përpjekjet për asgjësimin tonë, ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe vështirësi. PD-ja është sot një parti më e fuqishme se kurrë, ajo do të mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”, përfundoi Berisha.
Alibeaj: Vendimi i Gjykatës së Apelit, ogur i mirë për demokratët
Enkelejd Alibeaj thotë se kjo e sotmja është një orgur i mirë për demokratët,”Ftojmë të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve”,-shkruan Alibeaj.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vjen si një ogur i mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë. Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare”, deklaroi ai në rrjetet sociale.
Alibeaj ftoi demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jenë bashkë në përballjen e 14 majit.
“Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve. Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për të përballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur”, përfundoi Alibeaj.
/Argumentum.al