Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës i ka bërë thirrje Kosovës ta pezullojë “menjëherë” vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), i cili autorizon përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.
“Franca është e shqetësuar nga hyrja në fuqi dje e vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës”, tha Ministria franceze në uebsajtin e vet.
Rregullorja e re BQK-së, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e afatit të zbatimit.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Francës:
Franca është e shqetësuar nga urdhri i lëshuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që kufizon të gjitha transaksionet me para të gatshme në vend veç euros, duke filluar nga 1 shkurti 2024.
Ky urdhër, i cili u vendos në mënyrë të nxituar, do të ndikojë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, i cili varet shumë nga pagesat nga Serbia në dinarë serbë.
Duke pasur parasysh mungesën e zgjidhjeve alternative në këtë kohë, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni. U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të gjejnë një zgjidhje përmes negociatave në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
/Argumentum.al