Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ndërprerjen e aksesit në platformën online “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 muaj.
Qëllimi, sipas qeverisë, është shmangia e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Qeveria parashikon që ndërprerja e platformës online “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
Në bazë të vendimit të qeverisë, është caktuar Ministria e Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës online “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera online, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital duke përfshirë: operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës; operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve; shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm; përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.
Qeveria ngarkon Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të Tik-Tok.
Sipas vendimit të qeverisë “pasi të realizohet nga platforma online “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi”.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.