Sipas një drafti të opinionit mbi ligjin “Për Median Audiovizive,” Komisioni Venecias ka hedhur poshtë projektligjin e miratuar nga parlamenti me 18 dhjetor, i votuar nga mazhoranca kundrejt protestave të gazetarëve dhe kundërshtive të forta nga Komisioni Europian, Këshilli i Evropës dhe të organizatave të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, kombëtarë dhe ndërkombëtare.
“Komisioni i Venecias rekomandon të rishqyrtohet miratimi i amendamenteve të draftit në Ligjin Nr. 97/2013, siç u votua nga Parlamenti në Dhjetor të vitit të shkuar.
Problemet e identifikuara nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të futura në amendamentet e draftit mund të bëjnë më shumë dëm për lirinë e shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave online,” thuhet në draft-opinionin e Komisionit të Venecias.
Në draft-raport thuhet se ligji për shërbimet audiovizive nuk është gati për t’u zbatuar. Gjithashtu shtohet se ky ligj ende është i paqartë dhe mund të ketë efekte frenuese te fjalës së lirë Në draft-projekt thuhet më tej se ndërmarrja e fuqive ligjore kaq të mëdha ndaj AMA-s, ka nevojë për rishikim.
Sipas Komisionit të Venecias, ky ligj kritikohet edhe në raport me gjobat e larta në rast shkeljesh, për mediat online. Ndër të tjera, kërkohet që të rishikohet edhe formula e përzgjedhjes së përbërjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.
h.e/argumentum.al
© Argumentum