“Nëse SHBA-të shkojnë përtej, duart e Trumpit mund të zhyten në gjak”, tha Arreaza në një konferencë për mediat në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, deklaroi se populli i vendit të tij, që tani po përballet me shumë vështirësi dhe sfida nga shkaku i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
“Nëse SHBA-të shkojnë përtej, duart e Trumpit mund të zhyten në gjak”, tha Arreaza në një konferencë për mediat në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.
Ai akuzoi SHBA-të se po tentojnë të kryejnë një grusht shteti në Venezuelë, duke shtuar se Washingtoni e do naftën, arin dhe mineralet e vendit të tij.
Arreaza theksoi se Venezuela nuk ka lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare të dërguara nga SHBA-të, sepse siç tha, nuk besojnë se Washingtoni vërtetë dëshiron të ndihmojë.
“Të jemi të sinqertë, a duan vërtetë të japin ndihma”, pyeti ministri i Jashtëm venezuelas, duke kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj vendit të tij, ndërkohë që tha se Venezuela nuk po përballet me një krizë humanitare.
”Në Venezuelë nuk ka krizë humanitare, por kemi një ekonomi që është nën embargo”, tha Arreaza, ndërkohë që u shpreh i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me opozitën.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, paralajmëroi se situata në vendin e tij mund të përkeqësohet nëse SHBA-të vazhdojnë të ndërhyjë në çështjet politike në vend.
“Ajo që ndodhi në Vietnam do të ndodhë edhe në Venezuelë. Vetëm populli amerikan mund ta ndalë këtë çmenduri të Trumpit”, përfundoi Arreaza.