Në Venezuelë, i hiqet imuniteti liderit opozitar, Juan Guaido, i cili është vetëshpallur si president i përkohshëm i shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Asambleja Kushtetuese (ANC), e cila është i vetmi organ kompetent legjislativ në vend u mblodh në një takim të jashtëzakonshëm nën kryesimin e Diosdado Cabello për të diskutuar kërkesën e bërë nga kryetari i Gjykatës Supreme të Venezuelës (TSJ), Maikel Moreno për “heqjen e imunitetit të Guaidos”.
Në këtë takim u pranua me mbështetjen e plotë të parlamentarëve kërkesa për heqjen e imunitetit të Guaidos e cila ka nisur për shkak se “ai ka kaluar në Kolumbi edhe pse ka patur ndalesë të daljes jashtë vendit”.
Pritet që Gjykata Supreme e Venezuelës (TSJ) të fillojë procesin gjyqësor pas këtij vendimi të marrë nga Asambleja Kushtetuese (ANC).
Guaido, i cili u vetëshpall si presidenti i përkohshëm i shtetit në mitingun e mbajtur në Caracas më 23 janar, kishte kaluar në Kolumbi një ditë para përpjekjes së SHBA-ve për të futur më 23 shkurt në Venezuelë produktet e “ndihmës humanitare” që kishte mbledhur në Kolumbi.
Guaido, i cili është vlerësuar se ka kaluar në Kolumbi nëpërmjet shtigjeve të kontrolluara nga grupet e armatosura ilegale kolumbiane, pretendoi se ai ka shkuar në Kolumbi me mbështetjen e ushtrisë së Venezuelës.
Pas Kolumbisë, Guaido vizitoi Brazilin, Paraguain, Argjentinën, Ekuadorin dhe u kthye në Venezuelë më 4 mars duke hyrë në vend pa asnjë problem.