Përpjekje aktuale dhe të së ardhmes të Shteteve të Bashkuara për të përdorur fuqinë ushtarake në vende të tjera, mund të pësojnë të njejtin fat si lufta gati 20 vjeçare në Afganistan, paralajmëroi një agjenci që mbikqyr projekjet e qeverisë amerikane, duke cituar një sërë dështimesh të zyrtarëve të lartë për të nxjerrë mësime nga e kaluara.
Inspektori i Përgjithshëm për Rindërtimin e Afganistanit, John Sopko, u shpreh të enjten ashpër dhe pa doreza, gjatë një konference shtypi me gazetarët, duke ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë të mbrojtjes dhe diplomatëve, që siç u shpreh ai, ndër vite kanë gënjyer veten dhe publikun amerikan.
“Kemi egzagjeruar, e kemi tepruar me egzagjerime”, tha zoti Sopko në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës. “Gjeneralët, ambasadorët, gjithë zyrtarët tanë e bënë këtë kur shkonin në Kongres dhe i thonin popullit amerikan se ‘situata po kthen në Afganistan’. Kemi bërë kaq kthesa, sa kemi ndryshuar kurs 360 gradë”, u shpreh ai.
Zoti Sopko tha se ndërsa ka patur “shumë arësye” që Shtetet e Bashkuara nuk arritën të krijonin një ushtri afgane të efektshme dhe kohezive, një pjesë e problemit ishte “vetëbesimi i tepruar se ne mund ta shndërronim një vend të shkatërruar, siç ishte [Afganistani] në vitin 2001 në një miniaturë të Norvegjisë”.
Një faktor tjetër, shtoi ai, ishte “fshehja e së vërtetës”
Zyrtarë të lartë të ushtrisë “e dinin sa e dobët ishte ushtria afgane”, tha zoti Sopko, duke shtuar se ata e mbajtën këtë problem të fshehtë.
‘Ne i ndryshuam objektivat tona’
“Sa herë ndeshnim në një problem me ushtrinë afgane, ne ndryshonim objektivat”, tha ai. “Ushtria amerikane ndryshonte objektivat, që ta kishte më të lehtë të tregonte se po arrinte sukses. Dhe më në fund, kur edhe këtë nuk mund ta bënin, e klasifikuan si sekret mënyrën e vlerësimit”.
Zoti Sopko paralajmëroi se pjesë e problemit që projekti i Afganistanit nuk përfundoi me sukses, ishte refuzimi i Uashingtonit që për 20 vjet nuk planifikoi për suksesin afat-gjatë.
“Ne e kemi thënë disa herë, se afatet për projekjet tona kanë qënë jo-realiste”, tha ai, duke iu referuar vlerësimeve të zyrës së tij gjatë 12 vjetëve të fundit.
“Gjeneralë me katër yje, ushtarakë me katër yje, ambasadorë me katër yje, e detyruan USAID (Agjencia Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar) të tregonte sukses për projekte afatshkurtëra, që ata vetë e dinin se nuk do të kishin sukses”, tha zoti Sopko. “Afatet e shkurtëra, që nuk janë të bazuara në realitetin në terren, me përjashtim të terrenit politik të ciklit buxhetor, apo të ideve, që gëzojnë popullaritet për momentin, na çuan në dështim. Për fat të keq, ky problem nuk është i izoluar vetëm për Afganistanin”, shtoi ai, “egziston edhe në vende të tjera ku jemi angazhuar.”
Kritkat e zotit Sopko të enjten, pasojnë botimin e raportit të fundit nga zyra e tij, e cila e vlerëson situatën në Afganistan si “të dëshpëruar” dhe paralajmëron se qeveria afgane po përballet me një “krizë mbijetese”.
Zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit nuk i janë përgjigjur deri tani kritikave të zotit Sopko, por ata vazhdimisht i kanë mbrojtur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe vende të tjera.
Javën e kaluar zyrtari më i lartë ushtarak, Shefi i Shefave të Shtabit të Bashkuar, Gjenerali Mark Milley, tha se forcat afgane janë të stërvitura dhe të armatosura mirë, megjithëse grupi taleban ka “avantazhin strategjik të momentit”.
Gjenerali Milley e mbrojti modelin amerikan të njohur si “stërvit, këshillo dhe ndihmo”, duke e quajtur atë, “qasja më e mirë” për kundërterrorizmin./voa