Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka shkaktuar shqetësim serioz në Kongresin amerikan. Dy kongresmenët i janë drejtuar zyrtarisht me anë të një letre ambasadorit bullgar në SHBA, duke i kërkuar ndryshimin e qëndrimit, pra heqjes e vetos.
“Bullgaria duhet të zgjidhë përfundimisht mosmarrëveshjen me Maqedoninë e Veriut në mënyrë që Shkupi të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit” thuhet në letrën që dy anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, William Keating dhe Claudia Tenny nga republikanët i kanë dërguar ambasadorit bullgar në Washington, Tihomir Stoychev. Keating është gjithashtu kryetar i nënkomitetit përgjegjës për rajonin.
Letra është botuar nga Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase dhe i jep 40 ditë afat qeverisë bullgare të reflektojë.
“Shpresojmë që ju do t’i lini mënjanë dallimet dhe do të mbështesni integrimin e plotë politik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në një letër të grupit dypartiak të Kongresit, drejtuar ambasadorit bullgar në Uashington, Tihomir Stoychev, duke i kërkuar që të zgjidhë mosmarrëveshjen dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që vendi të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit. Pra brenda 40 ditëve, qeveria e re bullgare duhet ti japë zgjidhje kësaj cështjeje.
Letra shtonte se vonesat e mëtejshme në përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së do të vinin në dyshim përpjekjet e liderëve perëndimorë dhe do të hapnin derën për ndikimin politik antiperëndimor në rajon, veçanërisht nga Kina dhe Rusia.
“Ne besojmë se anëtarësimi eventual në BE i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është vendimtar për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik,” shkruan kongresmenët
Letra
“Tre vendet e Ballkanit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, janë anëtarësuar me sukses në NATO. Për këto arsye, anëtarët e Kongresit në të dy anët e sallës kanë shprehur mbështetjen e tyre të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e Kongresit theksuan se megjithëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, “mbetet një mosmarrëveshje midis vendit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut që po e pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë negociatat.
Ambasador Stojçev, ngadalësimi i vazhdueshëm i progresit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ka vënë në dyshim angazhimet e liderëve perëndimorë, duke i hapur derën ndikimit politik anti-evropian në rajon, veçanërisht nga Kina dhe Rusia. Ne besojmë se anëtarësimi eventual i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është thelbësor për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.
Kjo është arsyeja pse ne po ju shkruajmë sot për t’ju bërë thirrje që të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, e cila do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë negociatat e tyre për anëtarësim në BE përpara përfundimit të vitit.
Shpresojmë që të lini mënjanë mosmarrëveshjet tuaja dhe të mbështesni integrimin e plotë politik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian” mbyllet letra.