Ana Paula Zacarias, Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane e Portugalisë deklaroi sot se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme nuk arriti dakordësinë për kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me këto dy vende kandidate.
Në përfundim të mbledhjes së sotme të Ministrave të Çështjeve Europiane të vendeve anëtare të BE që u mbajt në Luksemburg, Zacarias, vendi i së cilës mban Presidencën e radhës së BE, u shpreh se, “nisëm sot në mëngjes me procesin e Stabilizim-Asociimit dhe Zgjerimit. Ishte një debat i pasur. Morën shënim zhvillimet e fundit duke theksuar rëndësinë strategjike dhe realitetin gjeopolitik të procesit të zgjerimit të BE-së që përfaqëson një investim në paqe, në demokraci, në prosperitet në siguri dhe stabilitet në Europë”.
“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve nuk ishte e mundur të binim dakord për kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, u shpreh Zacarias.
“Gjatë Presidencës sllovene do të vijojnë përpjekjet që do të çojnë me shpresë drejt një konkluzioni pozitiv shpejt mbi bazat e propozimit që Presidenca portugeze shtroi në tryezë”, tha ajo.
“Perspektiva europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është vitale për BE dhe është e rëndësishme mos ta humbasim këtë moment”, u shpreh Zacarias.
Shqipëria ka mbetur në këtë mënyrë peng i vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut ndonëse i kishte plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Këtë radhë, vendi ynë kishte edhe mbështetjen e Holandës, vend që vitet e kaluara ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Pak ditë më parë parlamenti holandez i dha “dritën jeshile” hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE, duke njohur në këtë mënyrë arritjet e deritanishme të reformave në vendin tonë.
Më herët ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të mendojnë në mënyrë strategjike dhe të kuptojnë se duhet të përmbushin detyrimet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ju lutem, lejoni që çështjet dypalëshe të trajtohen në mënyrë bilaterale, pa bllokuar gjithë ecjen përpara. Le të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë se duhet të përmbushim detyrimet tona ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tani”, tha Roth.