Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra ish-drejtuesen e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prelën.
Sipas trupës gjykuese të shkallës së dytë të Vettingut, Donika Prela nuk justifikon dhe ka fshehur pasurinë, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë.
Gjatë hetimit të vetingut u konstatua se Donika Prela ka kryer, me shumë gjasë, evazion fiskal, duke mos paguar taksa për të ardhurat, ka kryer transaksione të dyshimta financiare, duke marrë disa herë hua pa kontratë, me para në dorë dhe nga njerëz që nuk i justifikojnë paratë.
Kujtojmë se Prela u konfirmua në detyrë në shkurt 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut), pavarësisht problematikave të shumta që nxori në pah seanca dëgjimore.
Në prill 2019, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e saj, duke argumentuar se nuk justifikon një pjesë të pasurisë.
Gjatë seancës në KPA, Prela nuk ishte e pranishme.