Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç tha se mbi 2000 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë po marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Vihor 2024” në Pešter.
Gjatë stërvitjes pritet të prezanthen dronët e rinj, mjete ajrore pa pilot, tanke dhe mjete të blinduara të modernizuara.
“Në atë stërvitje do të shfaqen mbi 500 armë, gjithçka që përbën armatimin dhe pajisjet ushtarake të Ushtrisë Serbe. Nga ky numër do të prezantohen më shumë se 270 sistemet më komplekse dhe më të vlefshme, më të thella të armëve – tha ai.
Me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsiloviç, në stërvitjen e sotme të Forcave të Armatosura të Serbisë “VIHOR 2024” në terrenin stërvitor në Peshter do të marrë pjesë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
“Kjo është një stërvitje vjetore e zhvilluar nga Ushtria e Serbisë dhe për përgatitjet është njoftuar KFOR”, thuhet në njoftim.
Në deklaratën e misionit të NATO-s theksohet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin në ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i gjithashtu vazhdon të monitorojë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë që mund të ndikojnë në sigurinë e vazhdueshme dhe stabilitetin rajonal të Kosovës dhe mban një prani të dukshme, fleksibël dhe të adaptueshme në terren për t’u marrë me të gjitha rastet, në përputhje me mandatin e tij.
Reagimi i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Më 19 prill, Forcat e Armatosura Serbe mbajnë stërvitjet vjetore në poligonin Peshter. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se shefi i këtij misioni, gjeneralmajori, Ozkan Ulutas, do të vëzhgojë stërvitjet në Serbi, për të cilat Beogradi ka njoftuar KFOR-in për përgatitjet për mbajtjen e tyre.
Gjatë mbikëqyrjes së punimeve që po bëhen për ndërtimin e një rruge në Klinë, Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ai tha se në veri, organet kosovare të sigurisë janë “të pranishme dhe funksionale”, por shtoi se 30 kilometra larg kufirit me Kosovën, Serbia po kryen stërvitje ushtarake.
“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.
/Argumentum.al