Kryeministri Edi Rama priti sot me një ceremoni shtetërore Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në bulevardin pranë Kryeministrisë u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes e Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán,
Pas ekzekutimit të himneve të Shqipërisë dhe Hungarisë, Kryeministri Rama dhe homologu hungarez iu drejtuan selisë së Kryeministrisë për të zhvilluar takimin zyrtar.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Hungaria dhe Kryeministri Viktor Orban në mënyrë të veçantë, e ka mbrojtur vijimësisht pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, Rama u shpreh se Hungaria është një nga avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE-së.
Rama theksoi se vizita e sotme e Orban në Tiranë konfirmon vazhdimin e rrugës së re të bashkëpunimit të nisur mes dy vendeve.
“Kjo është vizita e një miku të vjetër dhe të palëkundur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të ministrit të Jashtëm si dhe të qeverisë së tij, ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale miqësore, por tanimë edhe ekonomike mes dy vendeve. Kjo vizitë, përveçse vizita e një miku të çmuar është edhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë kur u ftuam në Budapest nga Kryeministri Orban dhe ku u vendosën disa piketa, sipas të cilave ne vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha Rama.
Rama theksoi mbështetja e Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE nuk ka qenë vetëm me fjalë në instancat europiane, por ka qenë e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë shqiptare në të gjitha aspektet dhe sektorët ku është kërkuar mbështetje, si dhe në kuadër të projekteve të binjakëzimit të fondit të Ballkanit Perëndimor.
“Ne ndajmë të njëjtën bindje lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të BE-së për integrimin sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor. Personalisht ndjehem jashtëzakonisht mirë kur dëgjoj nga kryeministri i Hungarisë që BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor siç ka Ballkani Perëndimor për BE. Në këtë aspekt është me rëndësi që ky zë, ky argument të dëgjohet pa ngurrim nga ana e të gjitha shteteve anëtare”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri vlerësoi faktin se Orban ka qenë dhe është vijimësisht shtytësi kryesor i investimeve të drejtpërdrejta hungareze në Shqipëri.
“Ne sot kemi në Shqipëri disa kompani të flamurit të ekonomisë së re hungareze me të cilat jemi tërësisht të kënaqura për cilësinë e lartë që kanë sjellë dhe njëkohësisht për respektin që tregojnë ndaj vendit, jo thjesht ndaj ligjeve, por edhe ndaj nevojave të vendit. Duam të kemi më shumë kompani dhe kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se turizmi është një urë e fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe turistët që vizitojnë vendin tonë dhe shtohen në numër çdo vit janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Hungari.
“Besoj se është koha për të menduar për investime nga Hungaria që ka sot një industri ekselence në turizëm, ka një ekonomi të turizmit ndër më vibrantet në Europë sot”, tha Rama.
Në përfundim, kryeministri theksoi se vizitat e nivelit të lartë mes dy vendeve konfirmojnë gjendjen e shëndetshme pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në një farë mënyrë Hungaria ka edhe diçka të vetën në Shqipëri, sepse në kohën kur nuk mund t’i jepte Shqipërisë mbështetje për integrimin në BE dhe investime direkte i dha një princeshë e cila u bë Mbretëresha e Shqipërisë”, shtoi ai.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, deklaroi sot se “Hungaria mbështet gjithmonë dhe do të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për arsye të miqësisë që lidhin dy vendet tona por edhe të strategjisë ekonomike dhe politike”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Orbán tha se “vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë, pasi kemi të bëjmë me një ristabilizim, rindarje ekonomike të rëndë që po ndikon në Evropën e sotme dhe mendoj se këto janë edhe pikat e dobëta të politikës ekonomike të Evropës së sotme. Nuk kemi qenë në gjendje të sjellim përmirësime në këtë drejtim dhe përpjekjet tona kanë pasur shumë pak rezultate për fat të keq”.
“Sa i përket pjesës globale, kapaciteti dhe konkurrenca e Evropës është në rënie e sipër. Çështja e sotme është si mund ta konsiderojmë Ballkanin Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë nëse është një problem apo mundësi”, tha Orbán.
Kryeministri hungarez Orbán vuri në dukje se “ajo që kam dashur t’u them kolegëve të mi në Evropë. Përpiquni të imagjnoni Evropën e sotme ku Sllovenia Hungaria, Polonia, Çekia, Kroacia nuk janë anëtarë të BE-së. Pra cila do të ishte pamja e Evropës së sotme, zhvillimi ekonomik, nuk do kishim rritje ekonomike. Ne mendojmë se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kemi sjellë zhvillim në Evropë. Ne mendojmë e shpresojmë se kjo është ajo që do të sjellë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor sepse Shqipëria ka kapacitet rritjeje dhe zhvillimi”.
Nëse Evropa, vijoi Orbán, nuk do të ngelet pas në këtë zhvillim global përgjigja është e thjeshtë, rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan, nuk gjenden në vende të tjera të Evropës.
“Për këtë arsye ne kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet në BE”, tha Orbán.
“Është e papranueshme edhe e turpshme se sa ngadalë po ecën ky proces i zgjerimit të BE-së. I hodha një sy agjendës. Shqipëria ka duruar 13 vjet për të arritur në fillimin e negociatave për anëtarësim. Pas 10 vjetësh nëse perspektivat janë të sakta mendoj se vetëm Gjermania do të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës sepse nëse zgjerimi ecën me këtë ritëm kaq të ngadaltë mund të them se do të jetë ritëm vetëvrasës”.
Sa i përket investimeve hungareze në Shqipëri, Orbán tha se “jam shumë i gëzuar dhe për faktin që investuesit hungarezë sillen me respekt ndaj ligjit dhe nevojave të këtij vendi. Ju siguroj se në të ardhmen do të gjejmë forma të tjera të bashkëpunimit”.
“Ju siguroj që edhe në të ardhmen do të kemi investues hungarezë që do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe mendoj se edhe në të ardhmen do të përpiqemi të gjejmë forma të tjera të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh ai.
Lidhur me turizmin, Orbán theksoi se “turizmi është një sektor kyç për bashkëpunimin mes dy vendeve tona”.
“Do të ndaloja thjesht te pika e turizmit, që përmendet. Hungaria është një vend që nuk ka det. Pavarësisht nga kjo, turizmi përbën 15% të prodhimit të brendshëm në Hungari. Nuk është diçka e lehtë dhe jemi shumë të gëzuar nëse kemi mundësinë ta ndajmë përvojën tonë në këtë fushë me ju sepse Hungaria ka një strategji të veçantë në këtë fushë. Ne mbështesim gjithmonë investimet e huaja në këtë drejtim brenda vendit, pra për sa i përket turizmit dhe këtu nënkuptoj pikërisht politikat e Hungarisë lidhur me investimet e turizmit në Shqipëri. Këtë mund ta shtrijmë po ashtu edhe në sektorin e telekomunikacionit, në sektorin bankar, në sektorin energjetik, në sektorin e bashkëpunimit të menaxhimin e ujërave dhe mendoj që turizmi është një sektor kyç për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh Orbán.
I pyetur përse vendet e Evropës ngadalësojnë procesin e zgjerimit evropian, Orbán theksoi se “politika e zgjerimit është një luftë e vazhdueshme, nuk është diçka qe e e mendova sot dhe nesër do ta realizoj, nuk mund te ulemi me duar kryq e të presim pavarësisht se kemi interesa të ndryshme që ndërthuren. Por duhet punuar për këtë”.
“Unë gjithmonë i kam mbështetur të gjitha iniciativat që ka bërë zoti Edi Rama në të kaluarën dhe ato që do kryejë në të ardhmen. Kuptohet, është diçka shumë logjike dhe thjeshtë të gjitha ato kohezione që arrijnë, flitet për shumat që arrijnë nga Europa në Shqipëri apo në Hungari, të arrijmë atë nivel që kanë vendet e tjera që janë të anëtarësuara në BE. Pra, të mos presim formalizimin e anëtarësimit, por ta fillojmë që tani atë punë zhvilluese për Shqipërinë që ajo të mund të arrijë atë nivel të burimeve nga BE-ja siç e kanë edhe shtetet anëtare”, u shpreh Orban.
“Ne e kemi përgëzuar shumë edhe Ballkanin e Hapur, projektin e Ballkanit të Hapur sepse edhe për sa i përket zgjerimit të Shengenit nuk duhet të pritet që të formalizohet ky zgjerim për të mundësuar, për të lehtësuar vendet, dmth veprimtarinë e një vendi që synon të futet në këtë hapësirë. Prandaj, Hungaria gjatë gjithë kohës do të mbështesë të gjitha këto iniciativa”, vijoi ai.
Orban u shpreh se Europa nuk është në një gjendje të mirë sot. “Do të paguajmë një çmim shumë të lartë nëse nuk do të anëtarësohen vendet e Ballkanit, duhej bërë dje, jo sot dhe jo nesër”, theksoi Orban.
“Ne jemi të përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE. Në këtë rast Shqipëria ka nevojë për një përshpejtim të menjëhershëm, duhet të nxitojë të anëtarësohet”, tha Orbán.
/Argumentum.al