Viola von Cramon-Taubadel, raportuese e Përhershme për Kosovën në Parlamentin Europian, Shefe e Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së në vitin 2019 i komenton këto sfida.
Më 14 shkurt Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që formimi i qeverisë së qershorit 2020 ishte antikushtetues. Që nga zgjedhjet e fundit të mbajtura në tetor 2019, shumë nga çështjet në zhvillim mbeten të pazgjidhura, siç është edhe nevoja për përditësimin e listës së votuesve. Këtë herë zgjedhjet mbahen brenda një kohe të shkurtër si dhe në mesin e pandemisë së koronavirusit, të cilat janë sfida të shtuara për Kosovën.
Raportuesja e Përhershme për Kosovën në Parlamentin Europian dhe shefja e Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të BE-së në vitin 2019, Viola von Cramon-Taubadel, lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe sfidat komenton: “Këtë herë zgjedhjet do të zhvillohen në rrethana të paprecedenta, të cilat do të jenë shumë sfiduese për Kosovën, prandaj disa çështje duhet të zgjidhen paraprakisht. Për shkak të faktorëve të jashtëm, padyshim që nuk do të ketë asnjë mision të plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, por ekspertët ndërkombëtarë do të ndjekin ngjarjet në terren. Kjo tregon angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë po ofron gjithashtu mbështetje të konsiderueshme me ekspertizën e vet. Ne i kemi kërkuar Presidentit të Parlamentit Europian për një Mision Parlamentar të Vëzhguesve dhe jemi në pritje të një përgjigjeje nga ana e tij.
Ka probleme serioze me votat nga jashtë
Meqenëse atje nuk ka shumë të ngjarë të shihet një numër i madh vëzhguesish të pavarur ndërkombëtarë, tani është më e rëndësishme se kurrë të ketë një numër adekuat të vëzhguesve vendas. Prandaj, do të jetë thelbësore që të merret mbështetja e nevojshme financiare nga organizata të tilla si Demokracia e Kosovës në Veprim (DKA).
Afati i shkurtër kohor midis shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe ditës së mbajtjes së zgjedhjeve do të thotë se ka probleme serioze me votat nga jashtë, që në praktikë do të thotë që shumica e diasporës nuk do të jetë në gjendje të votojë. E drejta e tyre themelore demokratike është e rrezikuar dhe kjo çështje duhet të adresohet menjëherë.
Kosova ka përjetuar paqëndrueshmëri serioze politike në vitet e fundit. Kishte muaj pa asnjë qeveri dhe pa një shumicë parlamentare funksionale. Kjo nuk po ndikon vetëm në nivelin e qeverisjes, por në kohën e krizës COVID-19, mund të kushtojë jetë njerëzish. Prandaj, unë i nxis të gjithë aktorët politikë të mendojnë për të ardhmen dhe të diskutojnë mbi shumicat dhe koalicionet e mundshme, madje edhe para zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i qetë dhe të ngrihet një qeveri funksionale sa më shpejt të jetë e mundur. ”