Hyri viti i ri 2019 dhe ‘ethet’ e procesit elektoral ‘Lokale 2019’.
Ministria e Brendshme ka publikuar ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet vendore, të caktuara që të mbahen në datën 30 qershor 2019.
Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë në total 3.549.909 shtetas shqiptare, ku ndër ta, 50.5% janë meshkuj dhe 49.4% femra.
Nga lista janë hequr emrat e 1.264 personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”, si dhe janë hequr 1.309 emra të shtetasve mbi 100 vjeç.
Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 qershor 2019.
Ministria e Brendshme thotë gjithashtu se ka objektiv sigurimin e një liste sa më të plotë zgjedhore, që do të garantojë të drejtën e votës për çdo shtetas me të drejtë vote, duke shmangur në maksimum problemet e verifikuara në të kaluarën.