Këtë vit do të përkujtohen katër ngjarje madhore historike të lidhura ngushtë me të ardhmen evropiane e më gjerë; në fillim të qershorit, 75-vjetori i triumfit legjendar të “Urës” detare gjigante Euro-Atlantike mbi murin mburojë nazist në Normandi; më 12 maj 70-vjetori i dështimit të bllokadës më të madhe sovjetike në Berlinin Perëndimor falë urës gjigante ajrore të aleatëve dhe më 9 nëntor, 30-vjetori i shembjes së Murit famëkeq të Berlinit. Me të drejtë, ky i fundit u konsiderua si preludi i shembjes së gjithë mureve, gardheve dhe barrierave të komunizmit dhe i ribashkimit gjerman/evropian. Nuk po zgjatemi në këtë ngjarje të trajtuar në shumë botime dhe veprimtari, duke përfshirë dhe librin e autorit “Berlini pa Mure”
Mirëpo, krizat dhe zhvillimet e mëvonshme negative e kanë zbehur jo pak mjaft euforinë dhe entuziazmin e dikurshëm. Kjo, sepse gjatë 30 viteve të fundit janë ngritur mure, gardhe dhe barriera të gjithfarëllojshme: mure fizike, zgjerimi, elektronikë, azili, raketorë/bërthamorë, etnikë, raciste, fetare, rajonale, tregtarë, ideologjikë, antievropianë, mure krimi dhe korrupsioni, etj. Aq sa duket se po vërtetohet profecia e të madhit Xhevahir Spahiu kur te poezia “Muret” bën pyetjen emblematike “A thua se muret bien e shemben për t’u ngritur përsëri?”. Ca më keq akoma, ngritja dhe montimi i mureve po kthehet në sistem për shkak të përshkallëzimit të populizmit, ekstremizmit, euroskepticizmit, proteksionizmit, unilaterizmit, etj. Tashmë këto mure po ndajnë shumë vende dhe popuj, organizata ndërkombëtare dhe në përgjithësi rendin e ri botëror që u ngrit mbi 7 dekada më parë, në përpjekje për të shmangur konflikte të përgjakshme si Lufta e I dhe e II Botërore dhe për një paqe e stabilitet të qëndrueshëm. Kjo po ndodh pikërisht kur sapo u kremtua me madhështi 100-vjetori i përfundimit të Luftës së I dhe 80 vjet pasi plasi Lufta e II Botërore, ku këto dukuri me aktorët/faktorët e lartpërmendur luajtën rolin kryesor. Gjithashtu, këto mure dhe gardhe po pengojnë seriozisht zgjidhjen e krizave dhe konflikteve të stërzgjatura/të ngrira. Mjaft të përmendim ndarjen e Qipros prej 45 vitesh, të dy Koreve prej 60 vitesh, krizën Izrael- Palestinë, krijimin e konflikteve të reja në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Edhe SHBA-të, kampione të shembjes së mureve po ndërtojnë murin gjigant me Meksikën; madje ndërtimi i tij ka krijuar konfliktin me demokratët, duke çuar në pezullimin e aktivitetit qeveritar për mosmiratimin e fondit të nevojshëm prej 5 miliardë euro.
Lajmi i mirë është se në këtë përvjetor simbolik, Evropa ka një shans të artë për të gjetur veten me zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian, që plot 40 vjet më parë filluan të bëheshin të drejtpërdrejta. Për shkaqet që u përmendën më lart, sivjet këto zgjedhje janë “për jetë a vdekje” për demokracinë dhe projektin evropian. Prej tyre do të dalin drejtuesit dhe e institucioneve kryesore evropiane, pasardhësit e Juncker, Tusk, Mogherini, Tajani, komisionerëve, kryetarëve të grupeve parlamentare, raporterët për vende të ndryshme etj.
Gjendja është e rëndë, sepse dy vitet e fundit, dy grupimet më të mëdha në Parlamentin Evropian, qendra e djathtë dhe e djathtë, si forca anti-mur kanë pësuar firo dhe disfata zgjedhore. Tragjike është gjendja e Partive Socialiste dhe Social-Demokrate që janë në kufijtë e mbijetesës politike; madje, disave nuk u dëgjohet më emri. Social-demokratët gjermanë janë në kufirin më të ulët historik të 15 për qind duke rrezikuar të kalohen nga ekstremistët e AFD dhe komunistët e reformuar. Kryetari i ri i PES, Stanishev është vështirë të fitojë dhe në vendin e vet në Bullgari. Presidenti i IS, Papandereu është sa për formë se nuk ka kush e zëvendësojë dhe në Greqi e zënë me “gurë”. Po kështu, PS-ja e Timermans, kandidati kryesor për President i Komisionit Evropian, zv.president aktual në Holandë luhatet në kufirin e 5 për qind e kështu me radhë. Kurse socialistëve francezë, grekë e të tjerëve nuk u gjendet “as nami as nishani”. Në këto kushte, nuk dihet se si mund ta mbajnë vendin e dytë në këto zgjedhje dhe drejtimin e Europarlamentit me qendrën e djathtë. Gjithsesi, me një mobilizim të madh, liderë të besueshëm dhe alternativa bindëse dhe të prekshme zgjedhore, asgjë nuk përjashtohet.
Ndonëse disi më mirë, edhe kristian-demokratët rrezikojnë shumë, sidomos në Francë, Gjermani, Itali dhe gjetkë. Lajm i mirë është rritja e vrullshme e të Gjelbërve në Gjermani, Belgjikë etj., që mund të kompensojnë “firot” e socialistëve dhe të djathtëve. Macron me lëvizjen e tij “En Marche” ishte një shpresë e madhe për krijimin e një blloku ose aleance panevropiane centrist; por pas protestave më të fundit të ‘jelekëverdhëve’, pozitat e tij dhe të centrizmit janë lëkundur ndjeshëm brenda dhe jashtë vendit. Shto këtu edhe veprimtarinë subversive të ish-shefit të fushatës zgjedhore të Trump, Steven Bannon, i cili ka hapur zyrën e lëvizjes së ekstremit të djathtë me qëllim që të “pushtojë” Brukselin dhe ta ndajë atë me një mur të ri të madh nga kryeqytetet e tjera. Edhe populistët dhe ekstremistët anti-ura janë në ngjitje pas fitoreve të bujshme në Itali, Austri, Slloveni, forcimit të pozitave në bllokun e Visegradit etj., në pozita të fuqishme janë ata dhe në Francë, Gjermani dhe gjetkë.
Për pasojë, Evropa pritet të shkojë në këto zgjedhje më e ndarë se kurrë me lloj-lloj muresh dhe alergji ndaj urave bashkuese. Veç shembujve të njohur të mëparshëm, këtë e dëshmoi qartë refuzimi i 15 vendeve, shumica anëtare të BE-së të Paktit Global mbi Migracionin të miratuar në Marakesh dhe në OKB më 19 dhjetor; ndonëse Pakti Global nuk është i detyrueshëm, ndonëse merr parasysh rregullat dhe interesat e vendeve kombëtare dhe plot “ndonëse” të tjera. Po pse atëherë ky “mur dhe gardh refuzimi” dhe nga disa vende ish-lindore etj.,? Thjesht për shkak të qëndrimeve refraktare anti-azil të këtyre vendeve në kuadrin më të gjerë të kundërshtimit të multilaterizmit, pra zgjidhjes së këtij problemi madhor në forume shumëpalëshe, duke ia lënë përjashtimisht atë dhe aspekte të tjera vetëm vendeve të prekura. Për më tepër, 30 vjet më parë e deri tani vonë, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, çelën kufijtë dhe shemben muret për vërshimin e mijëra shtetasve drejt perëndimit, kurse tani po i mbyllin kufijtë me mure gjigandë.
Ndaj, tani, katër muaj përpara zgjedhjeve të reja evropiane, të gjitha forcat politike po mobilizojnë njerëzit për një pjesëmarrje masive, me premtime konkrete, të prekshme dhe të realizueshme, me autokritikë për mungesat dhe dështimet dhe me alternativa më të mira qeverisjeje. Si të gjithë vendet e Ballkanit edhe Shqipëria preket drejtpërsëdrejti nga këto zhvillime. Fatkeqësisht, mijërat e bunkerëve janë zëvendësuar me shumë mure e gardhe të natyrës ekonomiko-sociale për brezin e ri e deri te pensionistët. Protestat e tanishme të studentëve tregojnë qartë se sistemi ka dështuar edhe në drejtim të plotësimit të kërkesave minimale të brezit më të ri, fëmijëve të dhjetorianëve 1990. Për më tepër, në këtë gjendje kaotike të Evropës, për shkak dhe të mungesave tona të pajustifikueshme, ne po lutemi dyerve të BE-së për çeljen e negociatave me BE-në. Moment dhe koniunkturë tejet e disfavorshme. Sepse është tejet e vështirë në ngresh zërin dhe të kërkosh tani një gjë të tillë përballë aq shumë mureve që po na ngrenë… Gjithsesi, është më e udhës të vijojmë me kryerjen e detyrave të shumta e të prapambetura të shtëpisë, që të paktën të mos “ngelemi në vjeshtë” dhe ta çajmë e shembim më në fund “murin” që na ndajnë nga integrimi në Evropë. Dhe kujdes ndaj mureve e gardheve të tjerë, sepse ajo çka na duhet tani më shumë se kurrë janë urat lidhëse dhe bashkuese./gsh