Viti i ri akademik universitar ka nisur të hënën në Shqipëri me disa prej pedagogëve që bojkotojnë auditoret duke kërkuar rritje pagash. Pedagogët e Universitetit të Tiranës protestojnë prej kohësh, pasi nuk ishin dakord me rritjen 7% të propozuar nga qeveria. Kërkesa e tyre është 30 për qind rritje.
Ata kanë njoftuar se nga ora 10:00 deri në orën 12:00 të mëngjesit do të mblidhen për të bojkotuar mësimin në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha tha për mediat se qëndrimet cinike dhe arrogante të qeverisë kanë bërë që sindikata e mësuesve të bojkotojë mësimin. Berisha tha se vendimet e fundit të qeverisë synojnë shuarjen e universiteteve.
“Sot universitetet e vendit ishin në grevë dhe dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjës të universiteteve dhe studentë që iu përgjigjën thirrjeve të sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme e cila ka si objektiv kryesor realizimin e kërkesave ligjore të sindikatës së universiteteve. ”, tha ai.
Berisha vuri në dukje se ligjëruesit, punonjësit e universiteteve dhe studentët nuk po kërkojnë asgjë tjetër përveç asaj që gëzojnë sot kolegët e tyre në Prishtinë.
“Pagat në Universitetin e Prishtinës janë afërsisht dy herë më të larta se në Universitetin e Tiranës”, tha Berisha, i cili përsëriti apelin për një valë masive protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama pa caktuar ndonjë datë të saktë.
/Argumentum.al