Sot të gjitha universitetet e vendit do duhet të nisin mësimin, por jo në auditore, por online, pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Vendimi ka përfshirë edhe rreth 21 mijë studentë që futen këtë vit në universitet. Ata do ta nisin ëndrrën e arsimimit të lartë, online.
Fakultetet në kryeqytet sot nisin zbatimin e urdhërit e për pasojë janë mbyllur edhe konviktet, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid.
Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që shkollat e larta mbyllen për shkak të pandemisë së Covid-19.
Në orën 11:00, Lëvizja për Universitetin do të mbajë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të kërkojë përgjysmim të tarifës vjetore të studimit, një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.
Organizatorët thonë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe qeveria mashtroi me premtimet që mbyllën protestën e dhjetorit të kaluar.
Ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur edhe në bllokimin e parë ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online, ndërsa shumë të tjerë mbetën të papunë, duke mos pasur mundësi të paguanin as qiratë për qëndrimin në Tiranë.
Shumë studentë punojnë në baret, lokalet apo call centerat e kryeqytetit, edhe këto të goditura fort nga mbyllja prej pandemisë.