Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, vizitoi sot digat e Kaskadës së Drinit, veçanërisht hidrocentralin e modernizuar rishtas të Vaut të Dejës. Ky projekt është një nga projektet më të mëdha në kuadër të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim në Shqipëri dhe luan një rol qendror për sigurimin e furnizimit me energji të vendit.
Kaskada e Drinit, shtylla kurrizore e furnizimit me energji elektrike të Shqipërisë, ka pësuar një përmirësim thelbësor përmes modernizimit të plotë dhe forcimit të digave. Ndërhyrjet përfshinë riparimin e plotë të pesë portave të shkarkimit dhe ndërtimin e sistemeve të reja të bllokimit, të cilat janë thelbësore për funksionimin dhe menaxhimin e sigurt të strukturës.
Përmes një kredie në vlerën e 20 milionë eurove, të lëvruar nga Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, u rrit në mënyrë të qenësishme integriteti struktural i pajisjeve. Kjo kontribuon në stabilizimin e furnizimit me energji në rajon dhe forcimin e masave paraprake për të garantuar sigurinë e digave, çka garanton mbrojtjen e qëndrueshme të rajonit.
Këto masa kontribuojnë jo vetëm për forcimin e sigurisë dhe performancës së infrastrukturës energjetike shqiptare, por edhe për stabilitetin ekonomik dhe zbatimin e standardeve të BE-së në tregun energjetik shqiptar.
Që prej viteve ’90 Gjermania ka mbështetur në mënyrë aktive përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës energjetike në Shqipëri. Investimet përfshijnë jo vetëm rinovimin e hidrocentraleve dhe lidhjeve të tyre me tregjet energjetike të vendeve fqinje, por edhe ndërtimin e rrjeteve të rëndësishme të transmetimit dhe shpërndarjes. Këto masa kanë rezultuar vendimtare për garantimin e një furnizimi të besueshëm me energji, çka mbështet zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe plotëson kërkesat e një nevojë në rritje për energji urbane.
Me vizitën e sotme, Ambasadori Bergner dëshmon qartë mbështetjen afatgjatë të Gjermanisë për Shqipërinë, në mënyrë qe ajo të mund të garantojë një furnizim të sigurt dhe efektiv me energji elektrike për shtetaset dhe shtetasit e saj.
/Argumentum.al