Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka priti sot në një takim homologun grek, Nikos Dendias.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrja Xhaçka vlerësoi marrëdhëniet me vendin fqinj, teksa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjeve për çështje në interes të dy palëve.
“Jemi duke diskutuar në mënyrë intensive me fqinjët dhe miqtë tanë grekë si dhe të punojmë bashkërisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, në interes të popujve tanë. Jam e lumtur që kemi mirëkuptim për të trajtuar dhe për të kërkuar zgjidhje për të gjithë gamën e çështjeve, sado të vështira, që kemi trashëguar nga historia. Në këtë kuadër të diskutimit të rrugëve për kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara historike, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe ajo e kufizimit të zonave detare, si një çështje në interes të dy vendeve tona. Të dyja palët kanë vullnetin për kërkimin e një kompromisi që do të bënte të mundur referimin e çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Xhaçka.
Sipas saj, ky intensifikim i kontakteve të nivelit të lartë është shprehje e vullnetit tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe me vendin fqinj dhe mik.
“Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, por edhe partner të besueshëm në rrugën tonë të integrimit evropian. Këto shkëmbime të shpeshta dhe të hapura pikëpamjesh dëshmojnë qartë se dialogu dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona mike zhvillohet në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, duke pasqyruar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit dypalësh, rëndësi e cila shtrihet në rrafshin rajonal e më gjerë”, theksoi Xhaçka.
Për ministren Xhaçka jo më pak i rëndësishëm se diskutimi i këtyre çështjeve me karakter historik, është përcaktimi i mënyrave për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.
Duke e cilësuar Greqinë si një ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe në lëmin e investimeve, ministrja kërkoi thellim të bashkëpunimit edhe në fusha si mbrojtja sociale dhe kultura, fusha ku komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë vërtet ura për thellimin e bashkëpunimit.
“Produkt i këtij diskutimi është edhe kërkesa jonë për fillimin e takimeve në nivel ekspertësh për negocimin dhe nënshkrimin potencialisht të një marrëveshje për mbrojtjen sociale apo pensioneve, nga i cili do të përfitojnë edhe shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Po ashtu diskutuam edhe kërkesën tonë për avancimin e mësimit të gjuhës shqipe nga komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe çështje të tjera në interes të drejtpërdrejtë për shtetasit tanë që jetojnë në Greqi”, shtoi ajo.
Lidhur me situatën në rajon Xhaçka u mirëpriti angazhimin e Greqisë për adresimin e problematikave, sipas saj, të mbetura ende pa zgjidhje.
“Sa i përket situatës në rajon por edhe më tej, Dendias sot vjen nga një tur rajonal, dhe ne e mirëpresim shumë angazhimin e tij personal dhe angazhimin e Greqisë në adresimin e problematikave të mbetura ende të pazgjidhura në rajonin tonë por edhe situatës së sigurisë në Evropë për të cilën diskutuam gjërësisht, siç e thashë ne jemi aleatë në NATO dhe ndajmë të njëjtën qasje strategjike në mbrojtje të parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar siguria e kontinentit tonë, duke dënuar sulmin që u është bërë këtyre parimeve dhe vlerave nga agresioni rus në Ukrainë”, u shpreh ministrja.
Në këtë situatë, tha ajo, “integrimi euro-atlantik i rajonit merr rëndësi parësore dhe ky proces duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe Kosovën”.
Ajo i shprehu mirënjohjen homologut grek për punën e tij për vëmendjen që po i kushton rajonit dhe rolin e tij konstruktiv në zgjidhjen e problematikave të mbetura.
“Greqia është mbështetëse e perspektivës së integrimit të rajonit tonë në BE dhe më lejo i dashur Nikos të të falënderoj edhe një herë për mbështetjen në këtë proces jetik për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për stabilitetin e rajonit tonë në tërësi”, deklaroi Xhaçka.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias tha se duhet kompromis që çështja e detit të shkojë Gjykatën e Hagës.
“Diskutuam gjithashtu në nivel politik për marrëveshjen që ne kemi për një çështje shumë të rëndësishme, marrëveshjen në parim para dy vitesh që të kalojmë në një kompromis në mënyrë që të dërgojmë çështjen në Gjykatën e Hagës për kufirin. Zgjidhja e kësaj çështje dhe zgjidhja e ligjit të luftës dhe dy marrëveshjet e tjera për shmangien e episodeve në kufi dhe mirëmbajta e piramidave kufitare janë ato që do të dërgojnë një mesazh në komunitetin ndërkombëtar”, tha Dendias.
“Dua të jem i qartë se stabiliteti, prosperiteti dhe qasja paqësore përbën kërkesën kryesore, pasi edhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është një sfidë që duhet ta përballojmë me sukses. Kemi përpara nesh një çështje si përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dhe ne duhet të jemi sa më realistë, frytdhënës dhe sa më konstruktivë”, tha Dendias.
“Në takimet që unë kam pasur si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd kam nënvizuar nevojën e vijimësisë së dialogut me synim që të arrihet zgjidhje tërësore”, vijoi ai.
Dendias u ndal edhe tek takimi me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
“Patëm mundësi të fokusoheshim tek marrëdhëniet tona dypalëshe. Diskutuam edhe për një çështje shumë të rëndësishme siç është përshpejtimi i dialogut në bazë të marrëveshjes që kemi pasur dy vjet më parë në Shqipëri, për të arritur në kompromis për për marrëveshjen speciale për ta dërguar në Gjykatën e Hagës sa i takon delimitimit të kufirit detar por edhe të shellfit kontinental”, u shpreh Dendias.
“Mendoj se zgjidhja e kësaj çështjeje dhe ligjit të luftës dhe 2 marrëveshjeve të tjera për shmangien e episodeve në kufi dhe e mirëmbajtjes së piramidave kufitare dërgojnë një mesazh për komunitetin ndërkombëtar se e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e detit përbëjnë bazën për zgjidhjen e të gjitha diferencave ndërshtetërore”, tha ai.
Dendias vuri në dukje se marrëveshja do hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet reciproke, ndërsa mesazhi do të ishte shumë aktual në kushtet kur e drejta ndërkombëtare është shkelur në pika të ndryshme të globit, pavarësisht se ndodhemi në shekullin e 21-të, ku më evidentja është sulmi rus mbi Ukrainë.
Dendias po ashtu tha se ka diskutuar me Xhaçkën për thellimin e bashkëpunimit në tregti, për mbrojtjen e mjedisit veçanërisht për rastin e lumit Vjosa, për të cilin është rënë dakord për një plan të përbashkët mbrojtjeje që do shpallet nga 2 kryeministrat.
/Argumentum.al