Vizita e Macron në Beograd bëhet më pak se pesë muaj pasi ai priti homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, në Paris. Ky udhëtim do të jetë një mundësi për të dy krerët e shteteve për të diskutuar çështjet ekonomike, mbrojtjen, energjinë dhe inteligjencën artificiale.
Pasi deklaroi se e ardhmja e Serbisë qëndron “brenda Bashkimit Evropian … dhe askund tjetër” në prill, presidenti francez Emmanuel Macron vazhdon ofensivën e tij magjepsëse në Ballkanin Perëndimor, shkruan Euronews.
Kreu i shtetit do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Beograd më 29 dhe 30 gusht, sipas Pallatit Elysee.
Një nga temat më të ndezura do të jetë shitja e 12 avionëve luftarakë Rafale të prodhimit francez me vlerë 3 miliardë euro.
I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron deklaroi se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.
Vitin e kaluar, Vuçiq la të kuptohet se Beogradi ishte gati të shpenzonte rreth tre miliardë euro për avionët luftarakë francezë.
“Shumica e avionëve tanë, të gjithë interceptorët tanë dhe të gjithë avionët tanë luftarak vinin nga Rusia, dhe tani ne duhet të ndryshojmë veten, zakonet tona dhe gjithçka tjetër në mënyrë që të përgatisim ushtrinë tonë”, shtoi Vuçiq.
Kjo do të ishte e fundit në një varg marrëveshjesh armësh të lidhura me Evropën, Kinën dhe Rusinë, ndërsa Beogradi rriti shpenzimet e tij ushtarake gjatë dekadës së fundit.
Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje.
/Argumentum.al