Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me vizitën që zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet të zhvillojë për herë të parë në Shqipëri më 9 dhjetor.
Teksa ka shpërndarë mesazhin e ambasadës amerikane lidhur me axhendën e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan, ambasadorja Kim shprehet se veç të tjerash, Escobar gjatë vizitës në Tiranë do të diskutojë lidhur me vendosmërinë e SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe mosndëshkueshmërisë.
“Siç përshkruhet në Urdhrat Ekzekutive të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu vendosmërinë e SHBA-së për të luftuar: korrupsionin, mosndëshkimin dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, shkruan ambasadorja Kim në Twitter.
Ambasada e SHBA zbardhi një ditë më parë axhendën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike gjatë vizitës që do të zhvillojë në Tiranë.
I Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor do të takohet me kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë.